“109 mijë euro njërit dëshmitar, 49 mijë dhe banesë tjetrit”, akuzon Prokuroria – dështon seanca ndaj Sami Lushtakut dhe të tjerëve për krim të organizuar

Prishtinë- Për shkak të mungesës së të akuzuarit Sheremet Jashari, këtë të hënë në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ka dështuar të mbahet gjykimi, ku bashkë me Jasharin për krim të organizuar dhe vepra tjera penale po akuzohen Sami Lushtaku, Rrustem Rrukolli, Rexhep Xhota, Fatmir Mjaku, Ismet Haxha dhe Skender Tahiri dhe Bajram Dibrani.
Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Valon Kurtaj, bëri të ditur se ndaj të akuzuarit Jashari, do të lëshojë urdhëresë për sjellje e tij me detyrim në seancën e ardhshme.
Në këtë seancë prokurorja e rastit, Florije Shamolli u deklarua rreth dëgjimit të dëshmitarëve, ku njoftoi gjykatën se njëri nga ta ka ndërruar jetë, raporton “Betimi për Drejtësi”
“Përmes shkresave zyrtare kam bërë kërkesë për sigurimin e dëshmitarit F, përmes dokumentacionit që e kam përcjell në gjykatë i cili figuron se i njëjti ka ndërruar jetë. Ndërsa sa i përket dëshmitarit C, nga njësiti i EULEX-it kam kërkuar informata se ky dëshmitar a gjendet në listën e dëshmitarëve të mbrojtur, mirëpo përmes email zyrtar përgjigja është se dëshmitari C, nuk është në listën e dëshmitarëve të mbrojtur”, tha ajo.