14-vjeçari me prejardhje nga Kosova bëhet hero në Gjermani, shpëton shokun e sulmuar me çekiç

Një 14-vjeçar me rrënjë nga Kosova, Len Fejzullahu, është shpallur hero në Gjermani pasi ka rrezikuar jetën e tij për të shpëtuar shokun e shkollës gjatë një sulmi të dhunshëm me çekiç.
Sipas gazetës gjermane “Friedberger Allgemeine”, ngjarja ndodhi në Friedberg, në mesin e tetorit, kur një 15-vjeçar sulmoi dy nxënës 14-vjeçarë para fillimit të mësimit.
Sulmuesi, i veshur me uniformë ushtarake dhe i armatosur me çekiç, plagosi rëndë një prej tyre, ndërsa Len Fejzullahu reagoi menjëherë duke i ardhur në ndihmë shokut të tij.
“Fillimisht mendova se ishte shaka, por kur pashë që po e godiste me të vërtetë, vrapova për ta ndihmuar”, ka rrëfyer Len për gazetën gjermane.
Autoritetet gjermane kanë njoftuar se sulmuesi është arrestuar dhe po mbahet nën akuzën për tentimvrasje dhe lëndim të rëndë trupor, ndërsa hetuesit po shqyrtojnë nëse rasti ka prapavijë ekstremiste.
Veprimi i 14-vjeçarit është vlerësuar si akt guximi dhe humanizmi, që ka shmangur pasoja edhe më të rënda në këtë incident që ka tronditur komunitetin shkollor në Friedberg.








