17 vjeçari që kërcente në ballkone në brekë dhe hodhi karrigen nga dritarja dërgohet për trajtim psikiatrik në QKUK

Një ngjarje e pazakontë dhe tejet e rrezikshme ka ndodhur pasditen e së premtes në Mitrovicë, ku një 17-vjeçar në gjendje krize ka alarmuar Policinë e Kosovës, zjarrfikësit dhe ekipet e emergjencës.
Mitropol raportoi ekskluzivisht për rastin qysh dje, duke publikuar edhe pamjet e ngjarjes, në të cilat 17-vjeçari shihej teksa kërcente nga njëri ballkon në tjetrin, nga një kat në tjetrin, në gjendje të rënduar dhe pothuajse i zhveshur, vetëm në të brendshme, ndërsa bërtiste me zë të lartë nga lartësia e ndërtesës.
Rasti ka ndodhur rreth orës 17:00, në një ndërtesë afër rrugës “Shemsi Ahmeti”, ku i mituri ndodhej në katin e shtatë.
Qytetarët kanë qenë ata që kanë alarmuar Policinë për situatën e krijuar, ndërsa njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes.
Situata është përshkallëzuar më tej kur 17-vjeçari ka nisur të hedhë nga kati i shtatë sende të ndryshme, përfshirë vazo lulesh, bidonë me ujë dhe karrige.
Këto sende kanë përfunduar në hapësirën jashtë ndërtesës, duke paraqitur rrezik serioz për kalimtarët dhe automjetet që ndodheshin poshtë.
Për disa momente, zyrtarët policorë janë përpjekur ta menaxhojnë situatën dhe ta bindin të miturin që të mos ndërmerrte veprime të tjera të rrezikshme.
Megjithatë, për shkak të rrezikut të madh, Policia është detyruar të ndërhyjë me forcë dhe ta hapë derën e banesës.
Ndërhyrja rezultoi e suksesshme, pasi zyrtarët policorë arritën ta sigurojnë 17-vjeçarin dhe ta vendosin situatën nën kontroll.
Në vendngjarje kishin dalë edhe zjarrfikësit dhe ekipet e emergjencës, të cilat ishin mobilizuar për t’u përballur me situatën e krijuar.
Pas intervenimit është konsultuar Prokurori kujdestar, me rekomandimin e të cilit rasti është iniciuar si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
I mituri më pas është dërguar në QKUK për trajtim të specializuar psikiatrik.
Për shkak të moshës së të miturit, Mitropol nuk publikon identitetin dhe të dhënat e tjera personale të tij.
Rasti tashmë po trajtohet nga organet kompetente.







