26 vite nga transformimi i UÇK-së në TMK – Xhafer Preteni kujton me krenari uniformat e shërbimit ndaj Kosovës

Sot shënohen plot 26 vite nga transformimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Trupat Mbrojtëse të Kosovës, një datë që ruhet thellë në kujtesën e shumë ish-ushtarakëve të vendit. Mes tyre, është edhe Xhafer Preteni, ish-ushtarak dhe aktualisht asambleist i PDK-së në Mitrovicë, i cili po garon sërish për Asamblenë Komunale në zgjedhjet e 12 tetorit me numrin 10 në listën e PDK-së.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Preteni ka ndarë ndjenjat e krenarisë dhe kujtimet e tij nga periudha e shërbimit në uniformën e UÇK-së dhe më pas në TMK. Ai ka theksuar se përjetimi i këtyre dy fazave të historisë sonë më të re është privilegj i madh, duke qenë pranë bashkëluftëtarëve që dhanë gjithçka për lirinë dhe më pas në misionin e ndërtimit e shërbimit ndaj atdheut.
“Më se krenar që pata fatin të shërbej në këto dy uniforma, në atë të UÇK-së, krah bashkëluftëtarëve që sakrifikuan gjithçka për liri, dhe më pas në TMK, duke vazhduar misionin e shërbimit ndaj atdheut. Këto uniforma, e më pas edhe ajo e Ushtrisë së Kosovës, mbeten pjesë e jetës sime, të lidhura me kujtimet, shërbimet dhe përgjegjësinë ndaj Kosovës. Lavdi e përjetshme dëshmorëve dhe respekt i madh për gjithë bashkëluftëtarët dhe për të gjithë ata që shërbyem së bashku.”, ka shkruar ai.
Preteni ka shfrytëzuar këtë përvjetor edhe për t’i bërë thirrje brezave të rinj që të ruajnë dhe çmojnë trashëgiminë e luftës dhe sakrificës, duke theksuar se liria dhe shteti i Kosovës nuk erdhën lehtë, por janë fryt i gjakut të dëshmorëve dhe përpjekjeve të mëdha të një gjenerate.
Kujtojmë se më 19 shtator 1999, pas përfundimit të luftës, Ushtria Çlirimtare e Kosovës u transformua në Trupat Mbrojtëse të Kosovës, duke u bërë pjesë e një procesi të ri shtetformues që çoi më vonë në krijimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe më pas të Ushtrisë së Kosovës. Për shumë ish-ushtarakë, kjo rrugë simbolizon kontinuitetin e shërbimit ndaj atdheut dhe përmbushjen e një ëndrre që kishte nisur me pushkë në dorë.
Në prag të zgjedhjeve lokale, Xhafer Preteni po e lidh angazhimin e tij politik me përvojën e tij ushtarake, duke theksuar se përkushtimi ndaj vendit nuk mbaron me një uniformë, por vazhdon edhe përmes shërbimit publik.








