
Dy drejtorë nga Ministria e Punëve të Brendshme kanë bërë të ditur se në zyrën në Mitrovicën e Veriut deri tani janë pranuar mbi 500 aplikacione për pajisje me leje qëndrimi, ndërsa janë marrë edhe vendimet e para lidhur me këto kërkesa.
Këto deklarime u bënë në një tryezë të rrumbullakët për të drejtat e njeriut, të organizuar nga organizata joqeveritare “Qendra për Avokimin e Kulturës Demokratike” (ACDC), në kuadër të projektit “Ndërtimi i besimit përmes të drejtave të njeriut”.
Në këtë takim, fokus i veçantë ishte vendosur te Ligji për të Huajt dhe Ligji për Automjetet, përfshirë dispozitat që kanë hyrë në fuqi më 15 mars.
Drejtori i Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migrim, Valon Krasniqi, tha se është rritur numri i stafit në këtë zyrë dhe procesi po zhvillohet mirë.
“Departamenti për Shtetësi, Azil dhe Migrim, posaçërisht në Divizionin për të Huaj, i kemi rritur kapacitetet në personel. Vetëm në zyrën këtu në Mitrovicë të Veriut janë të angazhuar 7 zyrtarë, nga 1 sa ka qenë fillimisht. E kemi rritur numrin e përgjithshëm, komplet 7 zyrtarë, të cilët po pranojnë aplikacione për pajisje me leje qëndrimi, duke dhënë edhe informacione të duhura, duke shpërndarë udhëzues, formularë, lista të dokumenteve të cilat janë të nevojshme që palët t’i sjellin kudo që ata dëshirojnë të aplikojnë. Por mund të them gjithashtu me kënaqësi që procesi po shkon mjaft mirë sa i përket pajisjes me leje qëndrimi. Deri më tani vetëm në zyrën tonë në Mitrovicë të Veriut kemi pranuar mbi 500 aplikacione dhe gjithashtu mund t’ju informoj që i kemi marrë vendimet e para në lidhje me aplikacionet e tyre. Deri tani janë marrë mbi 70 vendime që janë marrë nga Divizioni për të Huaj”- tha Krasniqi
Ndërkaq, drejtori i Departamentit Ligjor në MPB, Qëndrim Bytyqi, tha se deri më tani nuk ka asnjë refuzim, pasi zyrtarët kanë kontaktuar aplikuesit kur ka munguar dokumentacioni.
“Kur flasim tek refuzimet duhet me pas parasysh diçka shumë të rëndësishme. Kërkesa për leje qëndrimi, nëse një person aplikon për leje qëndrimi edhe i refuzohet kërkesa për leje qëndrimi, ligji e obligon që me largu personin prej territorit të Kosovës. Ky është standard i të gjitha ligjeve për të huaj në krejt vendet e botës, e posaçërisht në Evropë. Nëse dikujt i refuzohet kërkesa për leje qëndrimi, i lëshohet vendimi, është detyrim me lëshu vendim për largim prej territorit. Kjo është arsyeja pse prej këtyre rasteve që na i kemi pranuar deri tash, që e përmendi drejtori Valon, janë rreth 70 raste aprovimi, po flasim prej rreth 180 raste bashkim familjar, për shkak se ka kërkesa për leje qëndrimi të punës në institucione që nuk kanë filluar me u trajtu, për shkak se janë disa parakushte të tjera kur ato munden me u fillu me u trajtu”-tha ai
Ai shtoi se zyrtarët kanë kontaktuar aplikuesit sa herë që ka munguar dokumentacioni, në mënyrë që të shmangen refuzimet.
“Këta 70 raste aprovimi ka pasur prej tyre që qytetarëve kur kanë aplikuar u ka munguar një dokument ose nuk ka qenë dokumenti që është dashur për me u aprovuar, edhe çka kanë bërë zyrtarët është që kanë kontaktuar me aplikuesin nëse e kanë pa që i takon e drejta me marrë leje qëndrimi. Kur një dokument nuk e ka, kanë kontaktuar edhe kanë kërkuar që me pru dokumentin për mos me u refuzu kërkesa, sepse nëse refuzohet duhet me u largu. Prej 180 rasteve për momentin nuk kemi asnjë refuzim”- ka thënë Bytyqi.
Bytyqi foli edhe për regjistrimin civil dhe aplikimet për shtetësi.
“Tek faktet e para drejtori e përmendi, nëse dikush shkon me regjistru një fakt, të lindjes, vdekjes ose të martesës, nuk ka nevojë me ju dhënë konfirmim për shkak se ai regjistrohet menjëherë në sistem. Edhe qytetari vjen me regjistru lindjen, në moment regjistrohet lindja nëse i ka dokumentet edhe i jepet certifikata e lindjes së Kosovës, kështu që nuk ka nevojë për konfirmim ose pritje ose refuzim. Nëse është në rregull, regjistrohet dhe i jepet dokumenti. Tash telashet pak më të mëdha janë tek aplikimet për shtetësi, për natyralizim, që normalisht përgjegjësi për me i trajtu rastet shumica është tek Divizioni për Shtetësi që është në kuadër të departamentit, ndërsa përgjegjësia për me i pranu aplikacionet është tek komuna”- shtoi ai
Ndërsa, zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha se procesi i zbatimit të ligjit po ecën mirë dhe deri tani janë shqiptuar 224 vërejtje dhe 21 gjoba.
“Që nga fillimi me 16 mars ne i kemi dhënë vërejtje 224 deri tani, tiketa janë 21. Ne e konsiderojmë që është duke shkuar shumë mirë procesi i implementimit të ligjit, por polici në rrugë, polici në vend kur e ndal dikë, ai e përcakton se çka duhet me bo me një qytetar. Nëse nuk pyetet polici për mendimin e tij profesional, është lehtë e qet një kamerë edhe ju jep tiketa të gjithëve edhe ata e kanë të drejtën e ankesës. Për këtë arsye ne e kemi lënë fuqinë tek polici që polici me vendos. Ne konsiderojmë që nuk ka me pas ndonjë problem, çdo gjë është duke shku në rregull. Momentalisht kur dikush tenton me largu veturën prej këtu, për arsye se e dimë si e kanë ble dhe si e kanë marrë në posedim dhe duan me dal në Serbi, na nuk jemi duke i ndaluar, mirëpo ka me ardh një moment i caktuar që na duhet me e ndaluar edhe atë kalim kufitar, sepse policia e rendit, unë jam përgjegjës për policinë e rendit në veri, por tash jemi duke i bërë presion policisë kufitare që ata mos me i ndalu veturat kur tentojnë me dal në atë pjesë”- tha Elshani.
Përfaqësuesit institucionalë vlerësuan se procesi i zbatimit të dispozitave të reja ligjore në veri po zhvillohet pa pengesa të mëdha, ndërsa thanë se trajtimi i aplikacioneve për leje qëndrimi, regjistrimin civil dhe çështjet që lidhen me automjetet do të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme. Në të njëjtën kohë, u theksua nevoja që qytetarët të informohen dhe të ndihmohen në përmbushjen e procedurave ligjore.








