Kadriu: Kur janë marrë qëndrimet politike, që ne po ndahemi nga Kushtetuta e Kaçanikut e tutje, organizimet kanë qenë shumë të fuqishme e vendimet kanë qenë të thella

Cikli i emisioneve “Zërat e Heshtur – Gratë e Mitrovicës” po pasurohet vazhdimisht me dëshmi autentike të grave që me përkushtim e dinjitet kanë ndikuar në zhvillimin social e kulturor të qytetit. Në emisionin e radhës ka qenë e ftuar Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Mitrovicës, Drita Kadriu, e cila mban këtë pozitë që nga viti 2021.
Bashkëbisedimin ajo e nisi duke treguar se sa shumë e ka përmbushur pozita e Drejtoreshës së Arsimit në Mitrovicë.
“Është detyra e cila ma plotëson tërësisht fotografinë e madhe të angazhimit tim profesional, akademik dhe politik. Kjo detyrë më ka përmbushur shumë, dhe jam e lumtur dhe besoj që i kam ofru shërbimet e mia në interes të secilit nxënës, secilit prind dhe secilit mësimdhënës”, tha Kadriu.
Drejtoresha tregon se çka e cilëson si arritjen më të madhe gjatë kohës që ka qenë në këtë post.
“Investimet kapitale në shkolla e kanë kaluar shifrën 2 milionë e gjysmë. Si prioritet në qeverisjen tonë ka qenë përmirësimi i infrastrukturës”, tha ajo.
Tutje ajo tregon se si u emërua drejtoreshë në një nga shkollat e Mitrovicës.
“Pas tri viteve përvojë si mësimdhënëse, është shprehur nevoja e strukturave qeverisëse atëherë të arsimit tonë në nivel të Mitrovicës që të zgjidhen disa drejtorë, dhe njëri prej atyre drejtorëve që do të zgjedhej atëherë në ‘Meto Bajraktari’ isha unë. Unë isha një prej atyre drejtorëve që bartte proceset e transformimit social, politik e ekonomik deri diku. Ishte viti 1994 kur unë mora detyrën e drejtoreshës në shkollën ‘Meto Bajraktari’. Përkundër sfidave, kam qenë ndër drejtoret më të mirëpritura në shkollë. Kam përcjellë inovacionet për kohën. Kam iniciuar procese të ndryshme për shkollën”, u shpreh ajo.
Gjatë kohës që Drita Kadriu ka qenë drejtoreshë e shkollës ‘Meto Bajraktari’, ajo ka kaluar vështirësi të shumta, ndër të cilat përmendi edhe “luftën” për ta pasur një zyrë të sajën, pasi në të njëjtën shkollë njëkohësisht ishin edhe paralelet serbe.
“Nëse shkoni ndonjëherë në shkollën ‘Meto Bajraktari’, tash e quajnë ‘Musa Hoti’, në hyrje të shkollës, në anën e majtë, është një kabinë ku stafi teknik i lë disa pajisje të veta. Unë pesë herë e kam thyer atë derë dhe i kam vendosur bravën, por gjithashtu edhe pala serbe e ka thyer pesë herë. Por ata u dorëzuan. Unë e mora për të vendosur disa dokumente, orarin, mësimdhënësit kishin një derë për me u qasë. Nuk ka qenë e lehtë, ka qenë ballafaqim i drejtpërdrejtë. Drejtoresha në paralelet serbe ka qenë grua gjithashtu, besoj që ka një dozë më të lehtë të agresivitetit kur ka gra. Gradualisht filluam me marrë hapësirën, zyrën e sekretarit”, rrëfeu ajo.
Kadriu po ashtu ndau edhe një nga momentet kur nxënësit e shkollës ‘Meto Bajraktari’ bënë një lloj “revolucioni”.
“U jam mirënjohëse nxënësve të kësaj shkolle, sepse përkundër një vendimi politik, ata i kanë thyer tre rrathë të kordonëve të policisë dhe me klasën e parë të mësueses Fehmije Lushta, kanë hyrë në objektin e shkollës. Ka qenë rast unikat në krejt Kosovën. Pas kësaj ngjarjeje, të gjitha shkollat e Kosovës janë kthyer dhe vendosur në objektet shkollore. Përjashtuar shkollat e mesme që i shoqëroi një vështirësi e madhe organizative.”, u shpreh ajo.
Kadriu përmendi edhe sfidat financiare me të cilat u përball stafi akademik atë kohë.
“Kur janë marrë qëndrimet politike, që ne po ndahemi nga Kushtetuta e Kaçanikut e tutje, organizimet kanë qenë shumë të fuqishme e vendimet kanë qenë të thella. Fillimisht pala serbe ka bërë ndalesa për mësimdhënësit e gjuhës shqipe, artit, muzikës. Nuk ka shkuar gjatë dhe janë ndërprerë rrogat për të gjithë. Pastaj u bë kompromisi social, mësimdhënësit janë deklaruar që do ta mbajnë mësimin. Prindërit, bashkë me këshillat e financimit, janë organizuar me mbledhë sado pak mjete për t’ua ndarë mësimdhënësve. Në një konferencë në Katar para disa viteve, një profesor palestinez nuk e besonte qëndrueshmërinë që ne e kemi bërë për këto vite. Nuk e besonte që ne kemi mbërritur me mbijetuar kështu. Falë solidaritetit, falë qëndrimit patriotik të kombit, ne kemi qëndruar në shkolla. Populli i ka sjellë nxënësit te ne dhe ne i kemi realizuar programet ashtu siç kanë qenë të planifikuara.”, tha drejtoresha.
Drejtoresha Drita Kadriu theksoi edhe angazhimin e saj politik.
“Politika më e mirë është ajo kur njeriu nuk ndahet nga populli. Aty ku ka qenë populli, kam qenë edhe unë. Nuk ka pasur shumë parti politike, por ka pasur gjuhë të marrëveshjes, të bashkëpunimit, gjuhë të arritjes së vizionit që liderët politikë, udhëheqësit akademikë, mësimdhënësit dhe populli e kishin vendosur – rrugën kah me shku. Andaj ne ishim të gatshëm me qenë gjithmonë përcjellës të ngjarjeve e edhe udhëheqës të ngjarjeve. Unë me një kolegen time në ’97 vendosëm me u shërby shkollave, përderisa themelohej Ushtria Çlirimtare e Kosovës – UÇK”, tha ndër të tjera ajo.
Në anën tjetër, Kadriu ndau edhe momente nga demonstratat e viteve ’80, kur ajo ishte nxënëse e shkencave të natyrës në gjimnazin që ndodhej në Zveçan.
“Ne si nxënës, edhe rinia, i përqafonim lëvizjet e mëdha, edhe ndryshimet e mëdha. Ne si nxënës kemi pasur një orientim gjithnjë me qenë në demonstrata. Nuk ka qenë e lehtë. Në njërën prej ditëve, kur na ndjekën serbët, është dashtë kodrës, kalasë së vogël të Zveçanit, me kalu rrugëve, nëpër oborre të serbëve – është dashtë me ik nga dhuna që u ushtrua atë ditë. Jo veç unë, por krejt nxënësit e gjimnazit”, rrëfeu ajo.
Në fund, ajo foli edhe për rininë e ditëve të sotme dhe lumturinë që ndjen kur i sheh ata teksa festojnë në mbrëmjet e maturës.
“Këtyre ditëve po organizohen mbrëmjet e maturës së nxënësve. Jam shumë e lumtur sa fëmijë të qetë janë. Sa kanë një botëkuptim shumë për të drejtën. Unë e ndjej mendimin e tyre, nuk kanë paragjykime, e pranojnë njeriun qysh është. Ai është i informuar – ndoshta kurrgjë si duhet informata, por e ka. Na duhet me i përcjellë sa më mirë që mundemi, me i adaptu shkathësitë, dijet tona për kërkesat e nxënësve. Edhe në mbrëmje të maturës po i pyes nxënësit: A jeni të gatshëm me më dëgju? Ju them: A jeni të lumtur? Më thonë ‘po’ me të madhe”, u shpreh drejtoresha mes lotësh.
Ndiqni intervistën e plotë në linkun e mëposhtëm:

Ky artikull është publikuar me ndihmën financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e vetme e Mitropol Media dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimet e Bashkimit Evropian.








