Aquapark 1
KOSOVËLAJME

Detaje ekskluzive se si nisën telashet mes imamit Berisha dhe tre vëllezërve që e rrahën për vdekje

Imami i fshatit Lupç, Zeqir Berisha po trajtohet në Klinikën e Neurokirurgjisë. Pas rrahjes së rëndë nga tre vëllezërit Murturi, imami Berisha vazhdon të jetë në gjendje të rëndë shëndetësore.

Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, imami është vizituar nga dega e Bashkësisë Islame në Podujevë.

Aurora Group

Gazetarja e Nacionales, Gentiana Hasani, ka realizuar një intervistë në QKUK me kryetarin e BIK-ut në Podujevë, Mensur Hoti.

Hoti ka thënë për Nacionalen se imami Zeqir Berisha ka lëndime të rënda në fytyrë, gjakderdhje në kokë, qepje dhe fasha në të gjithë trupin.

“Ne si BIK jemi të shqetësuar. Gjendja e imamit nuk është e mirë, aspak e këndshme. Ka dëmtime të mëdha në fytyrë, në kokë, ka edhe gjakderdhej të brendshme në kokë, kishte edhe qepje, sytë e mbylltë me zavoja”, ka thënë Hoti për gazetën Nacionale.

Imami duket se me rekomandimin e mjekut, nuk ka qenë në gjendje të komunikojë me kolegët e tij të Bashkësisë Islame.

“Me vetëdije është, por nuk po mundet me folë. Ashtu na tha edhe mjeku. Familjarët nuk dinë shumë për rastin”, u shpreh më tutje Hoti.

“Rasti ka ndodhur pas namazit të jacisë”, u shpreh ai për Nacionalen.

Në anën tjetër, familjarët në kushte anonimiteti kanë thënë për gazetën, se gjatë muajit të Ramazanit, ata ishin kërcënuar nga po të njëtit persona.

Imami Zeqir Berisha është 61 vjeçar.

Për rrahjen e imamit janë arrestuar tre vëllezër: Shkodran, Behar dhe Atdhe Murturi.

Shkodran Murturi, Nacionale ka mësuar se është edhe mësues në shkollën Nazim Gafurri në Prishtinë. Përderisa njëri nga vëllezërit, është student në Arabinë Saudite.

Si nisën problemet e imamit të Podujevës me tre vëllëzërit? Nacionale mëson detaje ekskluzive

Nata e kaluar ishte e rëndë për imamin e fshatit Lupq në Podujevë. Zeqir Berisha u sulmua me mjete të forta deri në alivanosje. Ai u gjet në gjendje të rëndë pikërisht në xhaminë e fshatit.

Për sulmin ndaj imamit të Lupqit janë arrestuar tre vëllezër: Behar, Shkodran dhe Atdhe Murturi.

Megjithatë, gazeta Nacionale ka mësuar nga burimet e veta se problemet e tre vëllezërve me imamin Berisha, kanë nisur kohë më parë.

Një burim i informuar me këto zhvillime ka thënë për gazetën Nacionale, se imami Berisha këto kërcënime i kishte raportuar në Polici.

Problemet kishin nisur në lidhje me mënyrën e faljes.

“Sipas fjalëve të imamit, të tre vëllezërit kanë ideologji vehabiste, me ta ka pasur probleme vazhdimisht. Sidomos për mënyrën e të falurit”, tha ky burim për Nacionalen.

Problemet nisën në kohën e pandemisë.

“Problemet kanë nisur gjatë kohës së pandemisë, kur shteti kufizoi namazin në xhami. Tre vëllezërit nuk i respektonin masat e qeverisë”, ka mësuar më tutje gazeta.

Burimet i kanë thënë Nacionales se nga këta tre vëllezër, njëri studion në Arabi, e dy të tjerët jetojnë në Kosovë.

Policia arreston tre të dyshuarit

Policia e Kosovës ka njoftuar se për këtë rast, janë arrestuar tre persona të dyshuar. Imami është gjetur në gjendje të rëndë.

“Mbrëmë rreth orës 22:00, policia ka marrë informacionin se në fshatin Lupç i poshtëm të Podujevës, është gjetë një person i lënduar rëndë. Personi i lënduar Z.B. mashkull, është dërguar për tretman mjekësor, ndërkohë që njësitet policore të Podujevës menjëherë kanë filluar ndërmarrjen e verimeve operativo-hetimore dhe kanë arritë të arrestojnë tre persona të dyshuar”, ka thënë Ahmeti për Nacionalen.

“Personat e arrestuar: B.M, mashkull 27 vjeç A.M, mashkull 28 vjeç dhe Sh.M mashkull 25 vjeç. Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit të shtetit janë dërguar në qendrën e mbajtjes, ndaj tyre është iniciuar rasti vrasje në tentativë”, ka shtuar më tej Ahmeti.

Rasti është inicuar për vrasje në tentativë.

Bashkësia Islame dënon rastin

Pas sulmit të rëndë ndaj imamit të Lupqit Zeqir Berisha, ka reaguar edhe Bashkësia Islame e Kosovës.

Në një komunikatë për media, BIK-u ka dënuar këtë sulm të rëndë që ka ndodhur në hapësirat e xhamisë.

“Dënojmë me ashpërsinë më të madhe sulmin mbi imamin e xhamisë së fshatit Lupç, të komunës së Podujevës, Zeqir ef. Berishës. Sulmi i mbrëmshëm mbi imamin në hapësirat e xhamisë, në vendin e tij të punës, është akt i papranueshëm, madje përveçse sulm mbi imamin është edhe atak mbi xhaminë dhe xhematin e respektuar”, thuhet në komunikatë.

Më tutje, BIK-u iu ka bërë thirrje qytetarëve të distancohen nga ky sulm, dhe drejtësia ta thotë fjalën e saj.

“Imami është autoriteti më i lartë fetarë në xhematë, andaj atakimi i tij është atakim i vlerave dhe misionit që përfaqëson ai, e në këtë rast është edhe atak mbi Bashkësinë Islame të Kosovës. Mbështesim dhe i qëndrojmë afër imamit të respektuar, e nga xhemati kërkojmë që të distancohen nga autorët e sulmit, ndërsa nga organet e drejtësisë kërkojmë që të japin vendimet e duhura, sepse është sulmuar imami – autoriteti zyrtar fetar në vendin e tij të punës, si dhe është atakuar hapësira e xhamisë, e cila është e dedikuar për lutje e ibadete”, thuhet në komunikatë.

Weelnes