
Mesatarja më e lartë e vonesave në reagim policor është regjistruar në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës në Mitrovicën e Veriut.
Nga 100 përqindëshi i rasteve ku është e nevojshme prezenca e zyrtarëve policorë vetëm në zonat urbane, sipas Inspektoratit Policor të Kosovës, në 33.21 përqind të rasteve është vërejtur vonesa e intervenimit nga organi i sigurisë.
Ndërsa, në zonat rurale të rajonit të Mitrovicës së Veriut, në 43.22 për qind të rasteve ka pasur vonesë nga ana e zyrtarëve policorë të Kosovës.
Sipas IPK-së, maksimumi i vonesës nga policët është 15 minuta në zonë urbane e 30 minuta në atë rurale.
Raporti “Menaxhimi i thirrjeve dhe reagimit policor” i IPK-së ka nxjerr në pah se nga 15 mijë e 105 mostrat e analizuara në tërë territorin e Kosovës, në 3 mijë e 14 raste ka pasur vonesë.
Ky inspektim i IPK-së është i paraparë në planin vjetor të inspektimeve të rregullta të IPK-së dhe ka për objektiv matjen dhe analizën e kohës së reagimit policor, nga momenti i pranimit të thirrjeve deri në arritjen e njësive policore në vend ngjarje.
Subjekt i këtij inspektimi të IPK-së kanë qenë 41 stacione policore që janë në kuadër të drejtorive rajonale policore.
Periudha e mbulimit nga IPK për të analizuar dhe matur kohën e reagimit policor ka qenë tremujore. Në këtë periudhë janë përfshirë muajt prill, maj dhe qershor të vitit 2022.
Rezultatet e inspektimit erdhën nga takimet që patën inspektorët e IPK-së me 41 drejtues dhe bartës funksionesh në stacionet policore të Kosovës, duke përfshirë këtu komandantët e stacioneve policore, shefat e operativës së stacioneve, mbikëqyrësit e ndërrimeve dhe zyrtarët në bazat e komunikimit.
Pjesë e metodologjisë së inspektimit kanë qenë edhe këqyrja dhe verifikimi i radio-logjeve, përfshirë këtu 123 logje mujore operacionale.
Po ashtu, sipas IPK-së në metodologji është përfshirë edhe plotësimi i formularëve mbi analizën e 15 mijë e 105 mostrave të ngjarjeve të ndryshme e gjithashtu edhe marrja e dokumenteve si raporte, logje operacionale e të tjera./Kallxo/








