
Sot gjatë ditës kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka pritur në takim listën e bashkuar mes shqiptarëve nga të gjitha partitë dhe boshnjakët, të cilët garojnë në Veri të Mitrovicës.
Pas Kurtit, atyre mbështetje u ka dhënë edhe i pari i PDK-së.
Këtë e ka bërë të ditur vetë kryetari Krasniqi përmes një postimi në facebook.
Postimi i plotë
Bashkimi i shqiptarëve, boshnjakëve dhe aktivistëve të shoqërisë civile, pa dallime etnike e partiake, për të garuar të bashkuar e pa flamuj partiak në Mitrovicë të Veriut, është shembull i jashtëzakonshëm i unitetit karshi nevojave të qytetarëve.
Sot, në selinë e Partisë Demokratike të Kosovës, i takova për të diskutuar për përgatitjet e deritashme që kanë bërë për zgjedhjet e 17 tetorit, kandidatët e bashkuar në Iniciativën Qytetare “Mitrovica”.
Gjatë diskutimit të përbashkët me Erden Atiq, kandidat për kryetar komune që vjen nga LVV, Skender Sadiku, bartës i listës nga shoqëria civile dhe kandidatët për Kuvendin Komunal, Florent Azemi nga PDK, Petrit Miftari nga shoqëria civile, Nedzat Ugljanin nga VAKAT dhe Betim Osmani nga AKR, diskutuam për sfidat me të cilat po ballafaqohen dhe nevojën e bashkëpunimit të tyre për përfaqësim dinjitoz të qytetarëve në këtë komunë.
Vota e qytetarëve të Mitrovicës së Veriut për këtë listë të përbashkët, është votë për një të ardhme më të mirë për qytetarët tanë atje. Është votë që qytetarët e veriut të vendit të vazhdojnë të jetojnë në shtëpitë e veta, në trojet e veta, në shtetin e vet.








