Mbetjet nga stadiumi që po ndërton Serbia në veri dëmtojnë shtratin e Ibrit, Qeveria në gjumë

Shteti serb po ndërton një stadium futbolli në veri të Mitrovicës. Ky stadium po ndërtohet pranë hekurudhës së trenit, pranë urës së hekurt tek vendi i njohur në popull si Çeshmelluga, shkruan Mitropol.
Mbetjet e krijuara nga ndërtimi i stadiumit po hidhen tek vendi ku bashkohen Ibri e Sitnica, duke dëmtuar kështu shtratin e lumenjëve.

Banorët e Lisicës që ndodhet fare pranë vendit ku po ndërtohet ky stadium thonë për “Mitropol” se ndërtimi është futur afro 20 metra në shtratin e Ibrit, duke shkaktuar edhe vërshime të shumta sa herë që rritet niveli i ujit.

”Mbrëmë s’kemi fjetur deri në ora 04:00 pasi uji na është futur deri tek shkallët e shtëpisë”, thotë ky banor i shqetësuar nga gjendja.

Banorët e Lisicës përmes “Mitropol” po kërkojnë nga Qeveria e Kosovës, respektivisht Ministria e Ambientit ndërmarrjen e masave të duhura dhe ndërprerjen e punimeve të stadiumit si dhe rregullimin e shtratit të lumit.
Punimet për ndërtimin e stadiumit për serbët kishin filluar në vitin 2020./Mitropol/








