
Drejtori i Operacioneve në Policinë e Kosovës, Gazmend Hoxha, në emisionin “Kallxo Përnime” ka folur lidhur me situatën e sigurisë në veriun e vendit.
Ai është pyetur nëse është identifikuar ndonjë prej personave që kanë vendosur barrikadat në veri dhe po ashtu që kanë kryer disa sulme.
“Policia e Kosovës normalisht që ka arritur të identifikojë njerëz të caktuar edhe njerëz që qëndrojnë prapa sulmeve” – ka thënë Hoxha.
Ai tutje ka thënë se në këtë fazë nuk mund të ndahen informacione të tjera për publikun për shkak se mund të pengohet puna e Policisë.
Ai tregoi se kanë dëshmi dhe informacione që janë të grumbulluara nga shërbimet e Policisë.
“Tashmë gjitha njësitet e policisë janë duke punuar në këtë drejtim për të argumentuar dhe për të gjetur prova, dëshmi në mënyrë që individë që qëndrojnë prapa këtyre akteve një ditë do të përgjigjen para drejtësisë” – tregoi ai.
Për 12 ditë me radhë në rrugët që të çojnë në dy pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak janë vendosur barrikada. Vendosja e tyre erdhi pas arrestimit të ish-zyrtarit policor serb, Dejan Pantiq, i cili dyshohet për kryerje të veprave penale terroriste dhe kundër rendit kushtetues.
Ndaj Pantiqit ekziston dyshimi se organizoi sulmet e 6 dhjetorit, që ndodhën ndaj zyreve të Komisionit Komunal Zgjedhor në veri të Mitrovicës dhe i për të, Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur masën e paraburgimit prej 30-ditësh.
Për largimin e këtyre barrikadave, kryeministri i Kosovës ka thënë më 11 dhjetor 2022 se janë në koordinim me KFOR për të vepruar./Kallxo/








