Vijnë dyshimet e para në lidhje me zjarrin në Tetovë, raportohet se para dy jave janë dëmtuar tubat e oksigjenit

Gjatë natës së mbrëmshme në spitalin e Tetovës ndodhi një shpërthim i madh, duke ndikuar që të ketë edhe viktima dhe shumë pacientë të plagosur, raporton Mitropol.
Ky shpërthim ndodhi në spitalin ku po trajtoheshin të prekurit me virusin covid-19, teksa raportohet se para dy jave në të njejtin spital janë prerë tubat e oksigjenit.

Një gjë të tillë e konfirmoi edhe gazetari Seladin Xhezari, i cili theksoi se është e vërtet që janë dëmtuar tubat e oksigjenit dhe se kjo mund të ketë ndikuar në përhapjen e zjarrit.
“Burime të brendshme dhe dëshmitarë okular tregojnë se ka pasur një zjarr të madh dhe nuk u ka dhënë hapësire punonjësve të ikin. Zjarri ka qenë i papritur. Dyshohet se kanë shpërthyer bombolat e gazit. Shpërthimi ka ndodhur diku rreth orës 21:02. Deri në shpërthim raportohet se ka pasur 24 apo 26 të punësuar në këtë spital. Raportohet se 4-5 persona kanë mundur të dalin nga spitali COVID. “, tha Xhezari.
“Më 23 gusht ka pasur një përpjekje sabotimi dhe ka pasur dy dëmtime të tubave që çojnë oksigjen dhe ajër në këtë spital. Nuk është zbardhur se kush dhe pse u dëmtuan dy tubat. Në atë kohë numri i viktimave do të kishte qenë më i lartë.”, shtoi gazetari Xhezari.
Organet e hetuesisë ende janë duke u marrë me zbardhjen e rastit./Mitropol/








