Sveçla pas barrikadave të reja: Nuk jemi të interesuar për luftë, Serbia po angazhohet që barrikadat të prodhojnë viktima

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka dalë me një deklaratë pasi edhe sot në veri të vendit janë vendosur edhe dy barrikada të reja, një në Mitrovicë të Veriut dhe tjetra në Zveçan.
Sipas Sveçlës, Kosova është në koordinim me partnerët ndërkombëtarë që të mos ketë eskalim për zgjedhjen e situatës, gjë që ai thotë se po i pengon Serbisë, e cila po angazhohet që barrikadat të prodhojnë qoftë edhe viktima në njerëz.
“Institucionet e Republikës së Kosovës janë në koordinim të ngushtë me partnerët ndërkombëtar që kjo çështje të zgjidhet pa asnjë eskalim të mundshëm. Ky fakt dukshëm po i pengon Serbisë e cila po angazhohet maksimalisht që barrikadat të prodhojnë qoftë edhe viktima në njerëz dhe kjo dëshmohet nga sulmet e njëpasnjëshme të armatosura ndaj zyrtarëve policor, pjesëtarëve të EULEX e së fundmi edhe ndaj KFOR-it.”, ka shkruar Sveçla.








