
Ish-zyrtari policor serb, Dejan Pantiq, është arrestuar më 10 dhjetor në pikëkalimin kufitar në Jarinjë në veri të Kosovës. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla kishte deklaruar se Pantiq kishte organizuar sulmin terrorist në zyret e Komisionit Komunal Zgjedhor në veri të vendit me ç’rast ishin sulmuar zyrtarët e KQZ-së dhe zyrtarët policorë. Por, Pantiq nuk e vuajti paraburgimin në burg, ai gjatë gjithë kohës qëndroi në veri dhe për shkak të tij u ngritën mbi 10-të barrikada atje. Përkundër tensionve që shkaktoi, Pantiqit sot iu zbutë masa e sigurisë duke u lënë në arrest shtëpiak. Për këtë vendim, kryeministri Kurti është shprehur i interesuar të di se kush është ai prokuror që kërkon arrest shtëpiak për ish-policin e dyshuar për terrorizëm dhe kush është ai gjyqtar që e aprovon këtë.
Si pasojë e vendosjes së barrikadave në veri, u vështirësua lëvizja e lirë dhe puna e policisë, gjithashtu KFOR-it iu desh t’i shtonte përforcimet. Pati incidente të shënuara atje, u sulmuan policë e gazetarë etj. E së fundmi edhe mërgimtarëve iu zgjatë rruga, sepse u vendos edhe një barrikadë në Merdar, në pjesën serbe.








