Aurora Group
02KOSOVËLAJME

Bie numri i studentëve që kanë aplikuar në Universitetin e Mitrovicës

Në Kosovë funksionojnë shtatë universitete publike, në Prishtinë, Pejë, Gjakovë, Prizren, Mitrovicë, Gjilan dhe Ferizaj.

 

Medi

Në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini” në afatin e parë të konkursit sivjet kanë aplikuar gjithsej 648 kandidatë për pranim në studime, kurse në vitin e kaluar kishin qenë 942 kandidatë.

 

“Indikacione të mundshme, të përmendura edhe nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, si arsyetim për rënien e numrit të aplikuesve mund të përmendim: aspektin demografik; lëvizjet e brendshme dhe lëvizjet e jashtme të rinjve të Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Universitetit të Mitrovicës dërguar REL-it.

 

Rënie ka edhe në universitetet tjera publike.

 

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” sivjet e hapi konkursin për studentë të rinj më 6 gusht.

 

Sipas të dhënave, që nga ky universitet i kanë ofruar Radios Evropa e Lirë, numri i aplikimeve në konkursin për pranim të studentëve të rinj në studimet bachelor, për vitin akademik 2021/22 është 7,741.

 

Në vitin paraprak, për pranim në studimet themelore në UP kishin aplikuar gjithsej 8,364 studentë. Ndërkaq, një vit para kësaj kishim aplikuar mbi 9,000 studentë.

 

Sipas zyrtarëve në UP, ndër shkaqet që mund të kenë ndikuar në rënien e numrit të aplikimeve është fakti që në dy vjetët e fundit kanë regjistruar vetëm studentë të rregullt dhe jo studentë me korrespodencë.

 

“Po ashtu, edhe numri i maturantëve në nivel vendi ka rënë dhe kjo ka reflektuar edhe në numrin e aplikimeve në UP”, thuhet në përgjigjen e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

 

Hapja e konkursit për studentë në UP sivjet u bë më vonë në krahasim me vitet e tjera, kur konkursi ishte hapur gjatë korrikut.

 

Arsye për këtë është vonesa në procesin e akreditimit që u shkaktua nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KSHC).

 

Universiteti i Prizrenit “Ukshin Hoti”, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë ka treguar se sivjet në afatin e parë janë paraqitur gjithsej 900 aplikantë për 1,530 vende.

 

Sipas këtij universiteti, në vitin e kaluar akademik janë paraqitur gjithsej 2,021 kandidatë për 1,680 vende të lira.

 

Universiteti i Prizrenit, në përgjigjen dërguar Radios Evropa e Lirë ka thënë se beson që njëra ndër arsyet ka qenë “koha e pushimeve – muaji gusht, kur është hapur konkursi”.

 

“Besojmë që në afatin e plotësues do të plotësohen të gjithë vendet e lira”, thuhet në përgjigje.

Pellini