
Me ceremoni solemne sot është bërë dorëzim- pranimi i çelësave për 40 shtëpitë e ndërtuara në fshatin Frashër për familjet me nevojë sociale, projekt ky i realizuar nga Organizata “Qatar Charity” në bashkëfinancim me Komunën e Mitrovicës.

Me rastin e dhurimit të çelësave morën pjesë kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza, drejtori i organizatës “Qatar Charity”, Zyra në Kosovë, Esam Dabab, dhe bashkëpunëtorët e tij, drejtorë të drejtorive komunale, drejtori i QKMF-së, “Dr. Nexhat Çuni” dhe familjet përfituese.
Kryetari i komunës, Bedri Hamza, tha se është nder i veçantë dhe kënaqësi që sot bashkë me miqtë nga “Qatar Charity” t’i bëjmë edhe 40 familje me banim, duke e zgjidhur çështjen më jetike, problemin e banimit, kur njerëzit kanë banim e kanë më të lehtë edhe organizimin e familjes dhe normalisht edhe jetën.
“Është projekt me vlerë milionëshe, dëshiroj ti falënderoj kontribuesit në këtë projekt dhe mbi të gjitha qytetarët dhe popullin mik të Katarit, që me paratë e tyre po kontribuojnë në zhvillimin ekonomik dhe në adresimin e çështjeve socio-ekonomike në Kosovë”, tha kryetari Hamza.
Më tutje kryetari Hamza potencoi se përveç 40 shtëpive kjo lagje ka edhe objekte përcjellëse e cila është një prej lagjeve me infrastrukturën më të kompletuar në Komunën e Mitrovicës.
Postimi i plotë i Hamzës:
Sot në fshatin Frashër në Mitrovicë, përuruam 40 shtëpi, përfitues të së cilave janë 40 familje.
Në këtë kompleks është përurar edhe shkolla model, shkollë moderne dhe e pajisur me të gjitha kabinetet e nevojshme si dhe ambulanta e re bashkëkohore.
Ky projekt është bashkëfinancim i Komunës së Mitrovicës dhe “Qatar Charity”.
Falënderim të veçantë dhe shumë mirënjohjës popullit të Katarit dhe “Qatar Charity” për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme.







