“I ki 24 orë afat me u tërhjek”/ Arrestohet personi që dyshohet se kërcënoi me jetë avokatin mitrovicas, Mahmut Halimi

Gjatë ditës së sotme është raportuar për një rast që ka ndodhur në Mitrovicë, ku avokati kosovar, Mahmut Halimi, dje kërkoi ndihmën e Policisë së Kosovës, pas mesazheve kërcënuese që mori nëpërmjet telefonit.
I dyshuari A.M., (emër i njohur për redaksinë), dyshohet se kishte dërguar mesazhe me përmbajtje kërcënuese në adresë të avokatit Halimi, duke i dhënë ultimatum 24 orë që të tërhiqet nga mbrojtja në një rast.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se 45-vjeçari e ka kërcënuar avokatin se në rast se nuk vepron ashtu siç i kërkon ai, kjo do t’i kushtojë me jetë.
Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë arritur që të arrestojnë personin e dyshuar, i cili është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Kanosje’.







