
Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka treguar një arsye për mospërfundimin e rrugëve që lidhin Prishtinën me Mitrovicën, Pejën dhe Gjilanin.
Në një konferencë për media, ai ka thënë se procesi i shpronësimit të tokave, ka qenë një nga arsyet kryesore, por pa lënë anash edhe projektet e dobëta, që sipas tij janë trashëguar nga qeveritë e kaluara.
“Mungesa e realizimit të shpronësimeve ka qenë një ndër pengesat kryesore në realizimin e këtyre projekteve që sot i kemi pasur nëpër këmbë dhe duhet t’i zgjidhim me radhë. Natyrisht përpos çështjes së shpronësimeve dhe cilësia e punimeve ka qenë një ndër shkaktarët e vonesave të shumta që kemi pasur përgjatë viteve”, tha ai.
Ndërkohë ka zbuluar se qeveria ka paraparë një buxhet prej 32 milionsh për projektin Kijevë-Dollc.
“Është parapa buxhet prej 32 milionë euro për gjithë projektin nga Kijevë deri në Dollc pa pjesën e shpronësimeve. Pasi u morr vendimi (për shpronësim), tash kalojmë në faza të tjera që kanë të bëjnë me diskutime publike dhe vlerësimin e pronave do të dal edhe vlera e shpronësimit për gjithë rrugën dhe segmentin Kijevë-Dollc.
Buxheti prej 32 milionë euro është paraparë për tri vite. Viti i parë do të ketë 4 milionë euro, vitin 2024 do të jenë 13 milionë, kurse vitin 2025 do të jenë 15 milionë euro”, theksoi ministri./Insajderi/







