
Policia e Kosovës ka reaguar pas publikimit të disa lajmeve se dy të rinj të nacionalitetit serb janë keqtrajtuar në një fshat të komunës së Leposaviqit nga zyrtarët policorë.
Përmes një komunikate për media, Policia përgënjeshtron këto raportime, duke thënë se janë marrë të gjitha veprimet e menjëhershme konform autorizimeve ligjore, me qëllim të verifikimit dhe trajtimit të informacionit dhe deklarimeve të publikuara, të cilat kanë rezultuar se nuk ka ndonjë rast të raportuar apo evidentuar në institucionet kompetente.
“Referuar deklarimeve dhe publikimeve të datës 08.03.2023 nga disa mediume, se kinse në një fshat të komunës së Leposaviqit, dy të rinj të nacionalitetit serb janë rrahur/keqtrajtuar nga zyrtarë policorë siç e quajnë ata njësia ROSU, ju informojmë dhe njëherit sqarojmë se: Policia e Kosovës menjëherë pas publikimit të këtyre informacioneve, me datë 08.03.2023 ka ndërmarrë të gjitha veprimet e menjëhershme konform autorizimeve ligjore, me qëllim të verifikimit dhe trajtimit të informacionit dhe deklarimeve të publikuara, të cilat kanë rezultuar se nuk ka ndonjë rast të raportuar apo evidentuar në institucionet kompetente”, thuhet në komunikatë.
Tutje bëhet e ditur se bazuar në informacionet dhe verifikimet zyrtare me të gjitha njësitet policore në terren, përfshirë ato kufitare, është vërtetuar se një rast i tillë nuk është raportuar në Polici të Kosovës, informacion ky i cili iu është kumtuar mediave të interesuara kryesisht serbe.
“Deklarimet dhe publikimet në fjalë, sipas kompetencës, Policia e Kosovës i ka adresuar te Inspektorati Policor i Kosovës për trajtim dhe kompetencë të mëtejme”, thonë nga Policia./Sinjali/







