Dukato 2
02LAJME

Kanosje, pjesëmarrje në rrahje, dhunime e sulme seksuale: Dosjet penale të dhjetëra ish- policëve të dorëhequr në veri të Mitrovicës

95 dosje penale që u hetuan në të kaluarën, ekzistojnë në regjistrat e Inspektoratit Policor të Kosovës për zyrtarë policorë të cilët katër muaj më parë dhanë dorëheqje nga pozitat e tyre në stacionet policore në veri të Mitrovicës.

Këto raste janë iniciuar, hetuar e trajtuar gjatë periudhës kohore që nga viti 2011 deri në vitin e kaluar.

Active

Zbulim i fshehtësisë zyrtare, manipulim me prova, keqpërdorim i detyrës, mashtrim, mundësim i arratisjes për personat e dënuar, dhunim, sulm seksual, nxitje e përçarjes, janë vetëm disa prej veprave penale që përmenden në regjistrat e Inspektoratit Policor të Kosovës për ish- policët e dorëhequr në veri të Mitrovicës.

Numri i atyre që ofruan dorëheqje vitin e kaluar nga pozitat e tyre në stacionet policore në katër komunat me shumicë serbe në veri të Mitrovicës, është 573.

Në këto dorëheqje nuk hyn edhe ai i ish- drejtorit në veri të Mitrovicës, Nenad Gjuriq i cili me vendim të plotfuqishëm është larguar nga Policia e Kosovës në lidhje me veprimet të cilat kishte kryer duke mohuar detyrat e përcaktuara me ligje dhe rregullore të institucionit që i shërbeu.

Dy kapitenë, pesë togerë, shtatë rreshterë, 77 policë, një polic i ri dhe tre zyrtarë shërbyes civil të nacionalitetit serb të cilët ishin pjesë e institucionit të Policisë së Kosovës janë hetuar përgjatë dhjetë viteve të fundit nga IPK.

KALLXO.com ka siguruar statistikat e dosjeve penale të dhjetëra ish-policëve që dhanë dorëheqje në nëntor të vitit të kaluar.

Këta ish-policë dyshohen për vepra të ndryshme penale.

Për vepra penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës, më saktësisht veprat penale kalim i kufirit në mënyrë të paautorizuar dhe nxitje e përçarjes dhe mos durimit, janë të evidentuara dy raste. Të dyja këto janë hetuar nga ana e hetuesve policorë.

Për veprat penale kundër jetës dhe trupit më saktësisht kanosje, sulm, lëndim trupor e pjesëmarrje në rrahje janë hetuar 43 ish-policë të dorëhequr.

Tutje, 15 ish-policë ishin hetuar nga IPK edhe për vepra që ndërlidhen me liritë dhe të drejtat e njeriut më saktësisht, shkelje të statusit të barabartë, keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrave zyrtare si dhe fotografime të paautorizuara.

Dy ish-pjesëtarë të PK-së, janë hetuar për vepra penale që ndërlidhen me integritetin seksual më konkretisht një për dhunim e një tjetër për sulm seksual.

Inspektorati Policor i Kosovës ka hetuar një polic për dhunë në familje e dy të tjerë për vepra kundër ekonomisë më konkretisht për tregti të ndaluar e shmangie nga tarifat doganore.

Pesë ish-policë në veri të Kosovës janë hetuar nga IPK për vjedhje, asgjësim të pasurisë dhe mashtrim.

Dy ish-policë janë hetuar për vjedhje të pyllit, e dy të tjerë për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm.

Dosjet e ish-policëve në veri të Mitrovicës janë regjistruar gjatë viteve 2011-2022.

Në përgjigjet e IPK-së për KALLXO.com thuhet edhe se katër policë janë hetuar për mbajtje në pronësi e kontroll të paautorizuar të armëve si dhe përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm.

13 ish-policë janë hetuar për rrezikim të trafikut publik dhe ngasje në gjendje të paaftë apo të dehur.

Dy ish-pjesëtarë të PK-së në veri janë hetuar për deklarim të rremë, një për pengim i të privuarit apo procedurës zyrtare, tre për manipulim me prova, dy për legalizim të përmbajtjes së rremë dhe gjashtë për mundësim të arratisjes së personave të dënuar.

Tutje, pjesë e dosjeve hetimore në IPK janë edhe ish- pjesëtarë të policisë që dyshohet se kryen vepra penale kundër rendit publik, një prej tyre për pengim të personit zyrtar, dy për sulm ndaj personave zyrtar e një tjetër për vetëgjyqësi.

35 ish-pjesëtarë të policisë së Kosovës të dorëhequr vitin e kaluar janë hetuar për korrupsion.

25 ish-zyrtarë policorë janë hetuar për keqpërdorim të detyrës, një për përvetësim në detyrë, katër për marrje ryshfeti, një për ushtrim të ndikimit, tre për falsifikim të dokumentit zyrtar dhe një për zbulim të fshehtësisë zyrtare.

Koha