
Gjatë ditës së sotme janë përkujtuar viktimat e masakrës së tregut që ndodhi 24 vite më parë, ku në tregun kryesor të qytetit, forcat serbe sulmuan me minahedhës tregun i cili ishte përplot me njerëz.
Kryetari i komunës së Mitrovicës , Bedri Hamza së bashku me përfaqësues të institucioneve komunale, dhe me familjarët e martirëve e viktimave u mblodhën në vendin e ngjarjes për të nderuar viktimat dhe për të kujtuar këtë ditë, transmeton Mitropol.
Gjatë fjalimit të tij kryetari Bedri Hamza, tha se sot po bëhen 24 vjet nga hedhja e granatës në këtë vend, ku kanë humbur jetën shtatë qytetarë të Mitrovicës dhe qindra të tjerë të pafajshëm janë plagosur, të cilët edhe sot vuajnë dhe jetojnë me ato pasoja.
“Këtu janë vrarë njerëz të pafajshëm të cilët kanë qenë duke punuar, duke krijuar të ardhura për vete dhe familjen, si dhe duke bërë furnizime për familjarë. Realisht ishte një masakër në tregun e Mitrovicës ndaj qytetarëve të lirë dhe të pafajshëm të këtij vendi. Andaj sot shprehim nderimet dhe respektin për të gjithë ata qytetarë që kanë pësuar nga hedhja e granatës”, ka thënë kryetari Hamza.







