Premium Store
KOSOVËLAJME

Qeveria synon ta shtrijë FSK-në në gjithë vendin, NATO thotë se ndalesa për veri është valide

Qeveria ka bërë zotimin për një zinxhir të unifikuar komandues të Forcës së Sigurisë që vepron në tërë territorin e Kosovës, përfshirë edhe veriun. Por, këtij përcaktimi të shprehur në dokumentet e Strategjisë së Mbrojtjes nuk i është paraprirë me përpjekje që të ndryshohet marrëveshja me NATO-n, që përcakton se FSK-ja mund të zbarkojë në veri vetëm me leje të posaçme nga komandanti i KFOR-it. Me gjithë dokumentet që miraton Qeveria, zyrtarë të NATO-s i thanë KOHËS se ndalesa në këtë pjesë vazhdon të jetë e vlefshme

Qeveria ka shprehur synimin që ta shtrijë ushtrinë në gjithë territorin e Kosovës, në një përcaktim që theksohet në Strategjinë e re të Mbrojtjes.

Dukato 1

Këtij qëllimi nuk i ka paraprirë edhe një kërkesë për ndryshimin e marrëveshjes aktuale me NATO-n, sipas së cilës, Forca e Sigurisë e Kosovës mund të zbarkojë në veri vetëm me leje të posaçme nga KFOR-i.

“FSK-ja vepron në tërë territorin e Republikës së Kosovës nëpërmjet zinxhirit të unifikuar komandues ushtarak dhe përbëhet nga Shtabi i Përgjithshëm, komandat dhe njësitë vartëse të Shtabit të Përgjithshëm të FSK-së”, thuhet në këtë strategji.

Në Ministrinë e Mbrojtjes nuk kanë ofruar sqarime se si do të veprohet me ndalesën aktuale, e vlefshme për një pjesë të territorit.

Por në NATO, nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim, kanë konfirmuar se asgjë nuk ka ndryshuar në raport me ndalesën për FSK-në.

“Nuk ka pasur asnjë ndryshim kohët e fundit sa i përket qëndrimit të forcës së misionit, KFOR, të udhëhequr nga NATO-ja, i cili aktualisht ka rreth 3.700 trupa në terren. Vendosja e FSK-së në veri të Kosovës kërkon pëlqimin paraprak të KFOR-it. Në këtë drejtim KFOR-i së fundi nuk ka pranuar asnjë kërkesë”, thuhet në përgjigjen e NATO-s.

Njohës të sigurisë kanë thënë se autoritetet në Kosovë do të duhej që këto çështje t’i diskutonin me NATO-n para se t’i përfshinin në dokumente qeveritare.

“Trajtimi i kësaj çështjeje në draftin e Ministrisë së Mbrojtjes më shumë ngelet për konsum politik sesa që vërtet mund të përmbushet kjo pikë. Dua ta besoj se këto çështje duhet të diskutohen në të ardhmen me NATO-n, dhe pse të arrihet qëllimi që FSK-ja t’i ushtrojë aktivitetet e saj në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Duhet të zhbllokohet ajo marrëveshje dhe duhet të kemi një marrëveshje të re”, ka deklaruar Bedri Elezi.

Bazuar në këtë strategji, Kosova është duke i zhvilluar aftësitë dhe kapacitetet për mbrojtje të integritetit territorial. Kësisoj FSK-ja, në raport me zhvillimin e aftësive të saj, mbetet prioriteti kryesor në periudhën afatmesme.

Ndërkaq prania e mekanizmave të NATO-s në Kosovë, siç shkruan në strategji, ka ndikuar pozitivisht në ruajtjen e paqes dhe të sigurisë jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon./Koha.net/

Active