Drecun nga Serbia: Në Hagë po gjykohet UÇK-ja, kemi ofruar dëshmi se është ndërmarrje e përbashkët kriminale

Sot ka nisur në Hagë gjykimi kundër ish-krerëve të UÇK-së. Dhe një gjë e tillë ka nxitur reagime të shumta, madje edhe në Serbi.
Kryetari i Komisionit Parlamentar të ashtuquajtur për Kosovë dhe Metohi, Millovan Dreçun, ka komentuar fillimin e gjykimit duke thënë se “e gjithë UÇK-ja ishte në Hagë”.
Ai shtoi se pala serbe ka dhënë një kontribut vendimtar për të dëshmuar se kishte një ndërmarrje të përbashkët kriminale te UÇK-ja, pra se UÇK-ja ishte e organizuar në mënyrë hierarkike.
“Ka edhe prova të mbledhura nga grupi punues që kam formuar dhe i cili ka punuar për gjashtë vjet për të mbledhur prova dhe fakte”, u shpreh deputeti serb.
Sipas tij, ish-krerët e UÇK-së po akuzoheshin si për faj individual ashtu edhe për ndërmarrje të përbashkët kriminale.
“Sado që mundohen të thonë se ky nuk është gjykim i UÇK-së, në fakt është gjykim i UÇK-së sepse po flasim për një ndërmarrje të përbashkët kriminale…” – vazhdoi argumentet e tij Drecun.
Ai u shpreh se kishin pasur bashkëpunim të mirë me Prokurorinë e Gjykatës Speciale.
“Kemi identifikuar 159 paraburgime, gjashtë prej të cilave në Shqipëri dhe e kemi ofruar gjithë dokumentacionin për këtë gjë. Ata kontrolluan dyzet e më shumë vende, dhe aktakuza bazohet në to. Pastaj thanë (nga Prokuroria Speciale) se krimet do të lidheshin lehtë përmes atyre paraburgimeve.”, tha Drecun.








