Medi
KOSOVËLAJME

Sot dy vite nga zgjedhja e Vjosa Osmanit Presidente e Kosovës

Sot dy vite më parë, në një seancë të jashtëzakonshme, më 4 prill 2021, Kuvendi i Kosovës, zgjodhi Presidente të Vendit Vjosa Osmanin me 71 vota për.

Osmani u zgjodh pas raundit të tretë të votimit ku votuan 82 deputetë. Në mesin e tyre 71 nga deputetët votuan për Vjosa Osmanin, 11 rezultuan të pavlefshme, ndërsa për kundër kandidatin e Osmanit, Nasuf Bejtën nuk votoi asnjë deputet.

Active

Me t’u zgjedhur presidente, Vjosa Osmani mbajti një fjalim para deputetëve të Kuvendit.

Ajo në fjalimin e saj dha një porosi për vajzat dhe gratë anembanë vendit, duke u thënë se gjithçka është e mundur kur ato ëndërrojnë dhe punojnë për realizimin e ëndrrave të tyre.

Osmani vlerësoi lart edhe veprën e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, veprën e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, të gjithë dëshmorëve të kombit dhe sakrificën e të gjithëve për ta krijuar shtetin.

“Sot ne kujtojmë rolin e arkitektit të shtetit tonë, Ibrahim Rugovës, i cili politikës ia dha dimensionin më të çmueshëm të saj, dimensionin human. Historia jonë është histori e përkushtimit. T’i kujtojmë sot heronjtë tanë që lirinë e vendit e patën idealin më të çmuar jetësor”.

“Sot kujtojmë trimërinë e komandantit Adem Jashari, secilin ushtar të UÇK-së, familjen Jashari, dëshmorët dhe heronjtë, të gjithë të pagjeturit, martirët e shumtë”, kishte thënë Osmani ndë të tjera.

Pas fjalimit të Osmanit, seanca e jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit të Kosovës e cila filloi një ditë më parë, më 3 prill 2021, përmbylli punimet e saj.

Koha