
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se nuk ka rrezik për autonomi në komunat e banuara me shumicë serbe me anë të marrëveshjes së arritur në Ohër ku parashihet edhe themelimi i Asociacionit.
Osmani është shprehur se si presidente e Republikës, asnjëherë nuk do lejonte që të shkohet përtej Kushtetutës së Kosovës.
“Nuk ka asnjë autonomi. Çka do që do të dilte jashtë Kushtetutës së Kosovës do të duhej të ratifikohej në Kuvendin e Kosovës, pra në fund do të ju takoj atyre deputetëve të vendosin për diçka të tillë. Por, si presidente e Republikës në asnjë moment nuk do të lejoja që të shkohet përtej kushtetutës, apo edhe përtej vendimeve të gjykatës kushtetuese që kanë përcaktuar parametrat edhe sa i përket të drejtave të serbëve dhe organizimit të tyre në Republikën e Kosovës. Natyrisht që delegacioni i Kosovës po punon që të përcaktohen edhe detajet sa i përket nenit 7 por të gjitha këto të prira nga parimet që tashmë janë vendosur. Parimi i parë është Kushtetuta e Kosovës, pra nuk mund të shkohet përtej saj, sikur të ishte autonomi do të shkohet përtej kushtetutës së Kosovës gjë që assesi nuk e lejojmë. Parimi i dytë është vendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2015 dhe parimet e tjera të përcaktuara nga Kuvendi edhe në legjislaturat paraprake që kanë të bëjnë me ruajtjen e integritetit dhe sovranitetin e vendit, pastaj funksionalitetin e brendshëm që njihet si parimi i unitaritetit, dhe po ashtu më duhet ta përmend pozicionin amerikan i cili është i vendosur edhe me shkrim, i cili ndër të tjera është edhe parim shtesë udhërrëfyes në hapat përpara. Ka garanca shteti ynë që të mos lejohet që të tejkalohet kushtetuta dhe dhe të gjitha këto garanca ne do t’i shfrytëzojmë për ta mbrojtur interesin e shtetit”, deklaroi Osmani.








