‘Marshi për Drejtësi’, Haradinaj: Këto aktivitete s’u ndihmojnë të akuzuarve

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka folur për procesin gjyqsor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po akuzohen për krime lufte nga Gjykata Speciale.
Në një intervistë për Rubikon, Haradinaj ka thënë se beson në pafajësinë e ish-bashkëluftëtarëve të tij, por që sipas tij, procesi do të jetë i gjatë dhe është në interes që të respektohen të gjitha të drejtat për të gjitha palët.
“Ne prej këtu mund të japim mendimet tona, por duke mos qenë pjesë e procedurave do ta kemi të vështirë ta komentojmë në thellësi ose në specifika të procedurave. Por, besojmë shumë në pafajësinë e luftëtarëve tonë. Prezumimi i pafajësisë është e drejt ligjore, e palës mbrojtëse dhe ne besojmë se do të konfirmohet me vendimet e gjykatës”, tha ai.
Kreu i AAK-së foli edhe për ‘Marshin për Drejtësi’ të mbajtur më 2 prill, për të cilin tha se këto aktivitete nuk i ndihmojnë të akuzuarit.
Sipas tij, ekziston një rrezik që në disa prej veprimtarive të mund të kualifikohen si pengim i drejtësisë.
“Në aspektin emocional janë të mira, vlerësuese për UÇK-në dhe sakrificën e të akuzuarve por nuk mendoj që kanë ndonjë ndikim, të paktën jo pozitiv në procedura sepse gjykata është imune ndaj këtyre zhvillimeve përderisa këto nuk arrijnë të jenë pengim i drejtësisë. Ndërsa, nëse mbërrin Prokuroria që t’i shfrytëzojë këto si klimë kundër drejtësisë, realisht i bënë dëm të akuzuarve”, tha Haradinaj.






