“T’u jepen më shumë të drejta serbëve në Kosovë”, Abazoviq sugjeron që Kurti të bëjë “një kompromis minimal”

Shteti Kosovës duhet t’u jep “disa të drejta më shumë” komunitetit serb në Kosovë, beson kryeministri në mandatin teknik të Malit të Zi, Dritan Abazoviq, duke folur për Marrëveshjen e Ohrit, përkatësisht për Nenin 7 ku pala kosovare zotohet të sigurojë “një nivel të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë” në kuadër të një Asociacioni/Bashkësie komunash të populluara me shumicë serbe. “Duhet një kompromis minimal”, ka thënë ai në një intervistë në Rubikon në ditën e parë të vizitës së tij në Prishtinë prej kur ka marrë postin e kryeministrit.
Abazoviq, i cili njihet për botëvështrim multietnik si markë shënjuese të identitetit politik të tij në publik, beson se etnisë serbe i duhet zgjeruar të drejtat që kanë në Kosovë. “Normalisht, ndoshta duhet që disa të drejta u duhet dhënë më shunë edhe komunitetin serb në Kosovë”, ka thënë Dritan Abazoviq, i cili madje edhe para disa javësh ftoi që takimi i radhës i Nivelit të Lartë pas Ohrit të mbahet në Podgoricë.
Asociacioni i Komunave me shumicë serbe dhe “vetëmenaxhimi” për Abazoviqin “nuk është problematike”, pohon ai, ngase nuk është një diçka që nuk ekziston diku tjetër. “Mendoj se, aty duhet të gjendet një kompromis minimal dhe me ecë drejt një përfundimi për të cilin se do të kishte qenë i suksesshëm për të gjithë”, thotë ai.
Kryeministri Abazoviq ka edhe një kërkesë vëllazërore për qeverinë kosovare, që të arrihet një marrëveshje përfundimtare për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. “Unë e kuptoj se kjo është çështje mes dy shteteve. Nuk kemi ambicie të hymë e të përzihemi sepse nuk na takon absolutisht”, thotë ai, por thotë se shprehet se “si një mik, si vëlla, si dikush që ta dëshiron të mirën, mendoj se kishte qenë shumë mirë të arrihet një marrëveshje përfundimtare”.
Kujtojmë se aktualisht çështja më e nxehtë në procesin e dialogut Kosovë-Serbi është themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, draft-Statuti i të cilës është duke u hartuar nga Ekipi Menaxhues në kuadër të dialogut të Brukselit.
Kosova beson se ajo mund të bëhet vetëm duke mos përbërë pushtet të ndërmjetëm mes atij nacional dhe lokal, ndërsa Serbia kërkon që ajo të ketë pushtete ekzekutive në një numër fushash.
Ndërmjetësit, në anën tjetër, kanë garantuar se Asociacioni do të mund të bëhet vetëm asisoji që nuk cenon kushtetushmërinë dhe funksionalitetin e shtetit të Kosovës, garanci në të cilat tashmë thirret edhe vetë Qeveria Kurti.








