
Nënkryetari i komunës, Arian Tahiri, sot ka vendosur kurora me lule pranë pllakës përkujtimore në Lagjen e Kovaçëve, për të nderuar të rënët në 24 vjetorin e vrasjes dhe masakrës së 20 civilëve të pafajshëm shqiptarë nga forcat kriminele serbe.
Për të përkujtuar masakrën në Lagjen e Kovaçëve morën pjesë edhe kryesuesja e Kuvendit Komunal të Mitrovicës, Vesa Broja, drejtorë të drejtorive komunale, asamblistë, familjarë, përfaqësues të Shoqatave të Dala nga Lufta e UÇK-së, si dhe përfaqësues nga OJQ “Zëri i Prindërve”.
Në fjalën e tij, nënkryetari Tahiri, ka thënë se kjo ditë është e veçantë për Mitrovicën, në kuptimin e dhimbjes, ku para 24 viteve në këtë lagje ka ndodhur një prej masakrave më të rënda, pasi që forcat paramilitare serbe kanë nxjerr familjarët tanë nga shtëpitë e tyre dhe i kanë masakruar.
“Me respektin më të madh përulemi para të gjithë atyre që sakrifikuan për lirinë e vendit tonë, sepse pa gjakun, sakrificën e dëshmorëve dhe pa luftën e shenjtë të UÇK-së ne sot nuk do të gëzonim lirinë. Lavdi e përjetshme dëshmorëve dhe të gjithë martirëve të luftës”, është shprehur ndër të tjerash nënkryetari Tahiri.








