Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, gjatë raportimit të tij në Komisionin për Integrime Evropiane ka folur për gjendjen në katër komunat e banuara me shumicë serbe në veri të vendit.

Sveçla është shprehur i bindur se zgjedhjet e jashtëzakonshme në këto komuna, do të përfundojnë suksesshëm.

Active

“Sa i përket çështjes së zgjedhjeve, Policia e Kosovës dhe MPB janë në dispozicion të KQZ-së, në mënyre që këto zgjedhje të vijojnë dhe të përfundojnë suksesshëm. Për neve është e rëndësishme që këto zgjedhje të mbahen në një ambient të qetë, të sigurt qoftë për organizatorët po ashtu edhe për vet qytetarët atje, janë çështje të vendimeve politike të subjekteve të caktuara të cilat dojnë apo nuk dojnë të marrin pjesë në zgjedhje, por me rendësi është që institucionet e Kosovës janë duke vijuar me organizimin e procesit zgjedhor, ashtu siç është më së miri”, ka thënë ministri Sveçla.

“Jam i bindur se gjithë ky proces do të përfundojë i qetë, i suksesshëm duke i tejkaluar problemet të cilat i përmenda”, ka thënë Sveçla.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarët e katër komunave në veri të vendit, si dhe për kuvende komunale në Leposaviq dhe Zveçan, të cilat ishin shpallur të mbaheshin më 18 dhjetor të vitit të kaluar, janë shtyrë me vendimin e presidentes Vjosa Osmani, pas kërkesave të partnerëve perëndimorë.

Ato pritet të mbahen më 23 prill.

Zgjedhjet për kryetar të katër komunave veriore u shpallën pas dorëheqjes së kryetarëve të katër komunave në veri, të gjithë nga Lista Serbe, në fillim të nëntorit të vitit të kaluar, në shenjë kundërshtimi ndaj një vendimi të Qeverisë së Kosovës për të riregjistruar makinat me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës.

Sipas tij, i gjithë procesi do të përfundojë qetë dhe do të tejkalohen të gjitha problemet.