
Në ‘Shtëpinë Muze’ që ndodhet në Lagjen e boshnjakëve në veri të Mitrovicës, sot është shënuar Dita e të pagjeturve dhe martirëve, ku janë përkujtuar 116 të pagjeturit shqiptarë nga rajoni i Mitrovicës, si dhe 620 martirë të vrarë në luftën e fundit në Kosovë.
Në këtë aktivitet të pranishëm ishin, nënkryetar i komunës, z. Arian Tahiri, drejtorë komunal, kryetari i organizatës “Zëri i Prindërve”, z. Bajram Çerkini, ish-kryetari i komunës së Mitrovicës, z. Avni Kastrati, familjarë të të pagjeturve e martirëve, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, përfaqësues nga Bashkësia Islame, si dhe qytetarë të tjerë, të cilët me homazhe nderuan emrat e martirëve të vendosur në pllakën përkujtimore.
Në fjalën e tij, nënkryetari Arian Tahiri, ka thënë se muaji prill, është muaji i dhimbjes dhe pikëllimit për të gjithë neve, e sidomos për familjarët e martirëve të cilët u vranë 24 vite më parë në shtëpinë muze në Lagjen e Boshnjakëve.
“Të gjithë së bashku, duhet ta kalojmë dhimbjen dhe të jetojmë me krenari, sepse falë gjakut dhe sakrificës së tyre ne sot gëzojmë lirinë dhe e kemi shtetin tonë. Çmimi i lirisë është shumë i shtrenjtë e ne si komb e kemi paguar këtë çmim me gjakun e bijëve dhe bijave tona”, u shpreh ndër tjerash nënkryetari Tahiri.
Kurse, kryetari i organizatës “Zëri i Prindërve”, z. Bajram Çerkini, ka falënderuar qeverisjen lokale për bashkëpunimin e treguar në shënimin e kësaj dite me rëndësi për qytetarët e Mitrovicës.
Ndërsa, pas kësaj ceremonie janë bërë homazhe dhe janë vendosur kurora me lule edhe në varrezat e martirëve të kombit në Shipol.








