
Po vazhdojnë përplasjet mes pushtetit dhe opozitës për Ndryshim/plotësimin e Ligjit për Tatimin në Pronën e Paluajtshme. Ligji mundëson faljen prej 100 eurove të faturës. Ky ligj është votuar në Qeveri dhe tashmë shumë shpejt pritet të jetë në dorën e Kuvendit të Kosovës, pasi që sot pritet të shqyrtohet në Komisionin për Buxhet. Pse ligji dhe diskutimet për të janë kaq të rëndësishme?
Pushteti për Ligjin
Pas ankesave të qytetarëve për rritjen 100 për qind të tatimit në pronë, kishte lëvizur menjëherë pushteti.
Ministri i Financave, Hekuran Murati kishte thënë se me ndryshim plotësimin e ligjit, tatimpaguesit do të përfitojnë zbritje prej 100 euro në faturat për vitin 2023.
Ai kishte listuar edhe masa të tjera të cilat përfitohen nga ligji.
“Lirime tatimore për banimin primar dhe tokën bujqësore; kufizim të përllogaritjes së interesit që të mos tejkalojë vlerën e detyrimit tatimor; zbritje të shkallës së poshtme tatimore për vitin 2024; dhe fillimin e aplikimit të tatimit progresiv nga viti 2025.” – kishte shkruar Murati menjëherë pas miratimit të ligjit në mbledhjen e Qeverisë.
“Do t’i bëjë komunat lëmsh”
Kështu po cilësohet nga ish-kryeministri i Kosovës aktualisht deputeti i LDK-së, Avduallah Hoti, ndryshim/plotësimi i Ligjit për Tatimin në Pronë të Paluajtshme.
Ai ka thënë se Ligji aktual është bërë nga suedezët dhe i plotëson të gjitha standardet për administrimin e tatimit në pronë.
“Sot shqyrtohet në Komisionin për Buxhet projektligji për ndryshimin/plotësimin e Ligjit të Tatimit në Pronë. Ky projektligj do t’i bëjë lëmsh komunat. Ligji që është në fuqi është punuar gjatë me ekspertë suedez të mbështetur nga qeveria suedeze dhe i plotëson të gjitha standardet e nevojshme për administrim të tatimit në pronë.” – ka thënë ai në një shkrim në Facebook.
Hoti ka thënë se projekligji do të ketë ndikim negativ në të hyrat vetanake të komuanve dhe se do të rritet normat e tatimit për pronat me vlera të mëdha.
Më tej, ai ka bërë një paralajmërim të frikshëm për pronat e punueshme.
“Si i tillë, ky projektligj do të ketë ndikim negativ në të hyrat vetanake të komunave. Do t’i trefishoj normat e tatimit në pronë për prona me vlera të mëdha. Do të vendosë tatimin në parcelat e punuar që me ligjin paraprak ishin të liruara për të nxitur punimin e tokës.” – ka shkruar Hoti në Facebook.
Ai ka thënë se qasja është “tepër e keqe” dhe se ndryshimi i ligjit po bëhet pa konsultime me komunat dhe bizneset.
“Kjo qasje është tepër e keqe. Një ndryshim kaq i madh po bëhet pa asnjë konsultim me komunat dhe bizneset, të cilat do të ndikohen negativisht jashtëzakonisht shumë. Kjo qasje ad-hoc tregon mungesën e seriozitetit dhe profesionalizmit në qeverisje. Dëm i madh për ekonominë.”
“Këta qeveritarë sikur me qenë të interesuar të shkatërrojnë çdo gjë, e jo të ndërtojnë mbi atë që është ndërtuar deri më tani dhe të përmirësojnë lëshimet e të kaluarës.” – ka përfunduar Hoti.
Çka thotë Ligji?
Sipas draftit të Projekeligjit për ndryshim/plotësimin e Ligjit për Tatimin në Pronë të Paluajtshme, parashihet “progresivitet i shkallës tatimore, lirim tatimor për vendbanimin parësor dhe tokat bujqësore, faljen tatimore për vitin tatimor 2023 dhe rregullat kufizuese për aplikimin e detyrimit tatimor, dhe interesit, përmes ndryshimit dhe plotësimit të Ligjit Nr. 06/L005 për Tatimin në Pronën e Paluajtshme.”
Gjithashtu, me ndryshimin e Ligjit pritet që të ndryshohet edhe shkalla tatimore e që do të ketë rritje për pronat me vlerë mbi 100 mijë euro deri në 5 milionë euro.

Po ashtu, ndryshim/plotësimi i Ligjit parasheh edhe faljen prej 100 eurove dhe se falja do të vlejë vetëm për vitin tatitmor 2023.
Ndërkaq, për ata të cilët kanë paguar tatimin, shuma e falur llogaritet si paradhënie për vitet e ardhshme.
Më tej, me ndryshim/plotësimin e Ligjit fshihet neni 11 i Ligjit Bazik, në të cilin mundësohej zbritja për vendbanimin parësor dhe që mundësonte deklarimin e një prone për ata që kanë dy apo më shumë njësi rezidenciale.
Diçka që është më shqetësuese është fshirja e paragrafit 4 dhe 5 të nenit 10 të Ligjit Bazik në të cilin parashihej kështu:
“4. Tatimi në pronën e paluajtshme nuk vendoset mbi njësitë e kultivuara bujqësore të parcelave. 5. Kriteret dhe procedurat që zbatohen për të përcaktuar se cilat njësi bujqësore janë të kultivuara, përcaktohen me akt nënligjor nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.” – thuhet në nenin 10, paragrafi 4 dhe 5 te Ligji Bazik.
Ndërsa me ndryshim/plotësimin me fshirjen e këtyre paragarafëve shtohet një tjetër që thotë kështu:
“2. Fshihen paragrafët 4 dhe 5 të nenit 10 të Ligjit Bazik, dhe vendoset një paragraf i ri me tekstin si në vijim: “4. Lirimet tatimore të përcaktuara me nën paragrafët 8 dhe 9, të paragrafit 1 të nenit 10 zbatohen vetëm një herë brenda vitit tatimor për çdo tatimpagues, pavarësisht nga numri i pronësive dhe/ose posedimeve të tatimpaguesit dhe pavarësisht faktit që njësitë mund të ndodhen në komuna të ndryshme.” – thuhet në Projeligjin për ndryshim/plotëimini e Ligjit për Tatimin në Pronë./Nacionale/








