Premium Store
LAJME

Shkrimi i New York Times, paralajmërimi ogurzi për Vuçiqin dhe vrasjet

Serbia nuk po gjen qetësi nga sulmet tragjike të vrasjes në masë nga dy të rinj që ndodhën brenda tre ditësh. Viktimat llogariten në 17 ndërsa shoqëria vazhdon të jetë e shokuar nga masakrat që tronditën vendin. Presidenti Vuciq u provokua nga një gazetar kur u pyet nëse ai mund të jetë një lloj frymëzimi për të rinjtë e kriminalizuar? Por a paralajmëroi New York Times tragjeditë në Serbi? Ndiqeni kronikën e Kanal 10 që e sjell artikullin e shumë komentuar në botë të prestigjiozes amerikane për lidhjet e Vuciqit me tifozët dhe grupet kriminale.

17 të vrarë vetëm brenda javës, gjysma e të cilëve nxënës të pafajshëm – është bilanci i dy sulmeve të ndara dhe tragjike në Serbi.

London

Vendi është tronditur nga vrasjet në masë, ndërsa mllefi më i madh i shoqërisë është drejtuar drejt politikës dhe udhëheqësve shtetërorë.

Teksa janë thelluar hetimet për të nxjerrë motivet e këtyre vrasjeve, një artikull i New York Times për lidhjet e kreut serb, Aleksandar Vuçiq, me huliganët e futbollit dhe mafian –  duket si një paralajmërim ogurzi për Serbinë.

Një të shtunë në mbrëmje në fillim të marsit 2021, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u shfaq në televizion drejtpërdrejt, i ulur në një tavolinë të gjatë prej druri dhe i rrethuar nga kryeministrja dhe ministri i brendshëm i vendit.

Vuçiqi tha se kishte një njoftim të rëndësishëm për të bërë në lidhje me arrestimin e një bande të krimit përgjegjës për vrasje të shumta.

Ministri i Brendshëm paralajmëroi shikuesit që të largojnë fëmijët e tyre nga televizori. Një seri imazhesh u shfaqën në ekranin pas tij: një kokë e prerë, një trup pa kokë, një pjesë trupi.

Kështu nisë artikullin gazetari i njohur Robert F. Worth, që u publikua ditën e masakrës së parë në një shkollë të Beogradit.

Në këtë artikull të shumë komentuar, rrëfehen ngjarjet që kur Vuçiqi ishte pjesë e këtyre tifo-grupeve huligane nga fundi i viteve të ’80-ta.

Artikulli flet se si lidhjet e klanit kriminal të Velko Belivukut me udhëheqjen shtetërore serbe kishin ndodhur pikërisht në kohën kur në pushtet kishte ardhur SNS-ja dhe Vuçiqi në vitin 2012.

“Gjatë nëntë viteve në pushtet të Vuçiqit, huliganët serbë të futbollit – dhe bandat kriminale që mbivendosen me ta – janë përfshirë në politikën e paqëndrueshme etnike të rajonit dhe kanë ndihmuar në nxitjen e kryengritjeve serbe në vendet e tjera të Ballkanit. Disa prej tyre shprehin besnikëri ndaj Rusisë. Disa serbë i janë bashkuar grupit paraushtarak Wagner, i cili ka historinë e vet të punësimit të kriminelëve dhe ka postuar video rekrutimi në gjuhën serbe për luftën në Ukrainë. Ndonëse Vuçiqi e qortoi grupin, Serbia mbetet një lloj lidhje midis Rusisë dhe Perëndimit”. – thuhet në artikull.

Në të përmenden edhe vrasjet mes grupeve të huliganëve serbë si dhe metodat e tyre të vrasjeve të tmerrshme.

Ky rrëfim i shtangu serbët, dhe jo vetëm për shkak të imazheve të tmerrshme.

Kreu i bandës ishte një huligan trupmadh futbolli dhe trafikant kokaine i quajtur Velko Belivuk, i njohur me nofkën “Telashi”, veçse një figurë e njohur në Beograd.

Ai ishte akuzuar më parë për vrasje dhe një sërë krimesh të tjera të rënda, por kurrë nuk kaloi shumë kohë në burg. Ai u përfol se kishte marrëdhënie komode me policinë dhe shërbimet e inteligjencës serbe.

Ai dhe njerëzit e tij ishin fotografuar në shoqërinë e njerëzve të fuqishëm, përfshirë djalin e presidentit, Danilo Vuçiq.

Pas konferencës për shtyp, Belivuk ofroi anën e tij të historisë në një seancë gjyqësore me dyer të mbyllura. Ai tha se banda e tij ishte organizuar “për nevojat dhe me urdhër të Aleksandar Vuçiqit”, sipas transkripteve të gjykatës.

Vuçiqi kundërshtoi me zemërim çdo lidhje me vrasësit.

Në një intervistë të çuditshme televizive disa muaj pas arrestimeve, ai pretendoi se njerëzit e Belivukut i kishin shndërruar viktimat e tyre në “qebapa me mish njeriu” dhe ia kishin dërguar ato shefit të Belivukut.

Por pikërisht kur ndodhi sulmi vrasës në shkollën në Beograd dhe doli artikulli i prestigjiozes amerikane, presidenti Aleksandër Vuciq u sfidua nga një tjetër gazetar në konferencën për shtyp.

“Z. Vuçiq, ju thoni që fëmijët nuk e kqyrin televizionin, por ju ua keni tregu fotografitë e njerëzve të vrarë dhe të grirë në maqinë mishit (Rasti Belivuk). A mendoni se kjo ka mund të ndikojë”, … dhe ka kontribuar në rastin konkret? A do të kishit ndryshuar dicka sot?

Vuçiq heshti….dhe dha një përgjigje tjetër që nuk kishte të bënte me pyetjen.

Artikulli shkruan se huliganët ishin ndër të parët që shkuan në luftë në fillim të viteve 1990 dhe ishin huliganët ata që siguruan muskujt e lëvizjes për të rrëzuar autokratin nacionalist Slobodan Millosheviq një dekadë më vonë.

Që atëherë, politikanët serbë kanë frikë nga stadiumi dhe janë përpjekur të mbajnë huliganët në anën e tyre.

Koha