
Lidhur me rrëmbimin e tre zyrtarëve policorë të Kosovës nga xhandarmëria e Serbisë, ka reaguar edhe KFOR-i.
Në një përgjigje për Portalin Dukagjini, ata kanë thënë se “KFOR-i nuk ka qenë i përfshirë në ngjarjen e sotme lidhur me tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe në fakt është në kontakt me autoritetet serbe për të marrë informacione zyrtare për atë që ka ndodhur”.
Ndryshe, Policia e Kosovës tha se mesditën e së mërkurës, tre zyrtarë kufitarë dyshohet se janë kidnapuar nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vendin e quajtur Tresave/Bare, në vijën kufitare në veri të Kosovës.
Vendi Tresave/Bare gjendet në komunën e Leposaviqit dhe sipas kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, gjendet rreth 300 metra në brendësi të territorit të Kosovë.
Ndërkaq, sipas një njoftimi të Policisë së Kosovës, njësia policore ka qenë duke kryer një patrullë “thellë brenda territorit të Kosovës” për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale, që sipas këtij institucioni, shfrytëzohen nga grupet kriminale” për kalim ilegal dhe kontrabandë.
Policia tha se ky njësit, i përbërë prej tre zyrtarëve kufitarë, kanë njoftuar se kanë vërejtur persona të maskuar dhe të armatosur dhe kanë kërkuar asistencë dhe drejt tyre janë nisur njësi të tjera të policisë.
“Me të arritur në atë lokacion, njësitet asistuese kanë vërejtur vetëm veturën zyrtare, por jo edhe vetë zyrtarët policorë që kanë qenë me detyrë në atë lokacion. Në drejtim të këtij lokacioni menjëherë kanë shkuar edhe njësitet e tjera policore, si dhe janë informuar edhe institucionet e tjera të sigurisë, përfshirë KFOR-in, pasi dyshohet se zyrtarët policorë janë kidnapuar nga forcat serbe”, thuhet në njoftim.








