
Një konflikt mes dy grupesh të rinjsh mbrëmjen e së dielës në Vushtrri përfundoi tragjikisht, me vrasjen e dy të rinjve.
Ata u qëlluan për vdekje me armë zjarri (kallashnimov) teksa edhe një persona tjetër vazhdon të mbetet i plagosur lehtë.
Numri i të arrestuarve tashmë ka shkuar në pesë.
Por kush janë tre të arrestuarit e tjerë që fillimisht u intervistuan si dëshmitar lidhur me rastin?
Pesë personat që po dyshohen se janë përfshirë në këtë rast tashmë ndodhen në ndalim policor. Ndaj tyre, Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka ushtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit.
I dyshuari kryesor lidhur me rastin është Jetmir Sinani, 24-vjeçar, për identitetin e të cilit kishte raportuar ekskluzivisht “Mitropol” po hetohet për veprën penale “Vrasje e rëndë”, teksa katër të arrestuarit e tjerë, po dyshohen për veprën “Pjesëmarrje në rrahje”.
Sinjali ka mësuar se përveç të dyshuarit Edin Beka, emri i të cilit u zbulua nga Mitropol në natën kritike, tre personat e tjerë që janë ndaluar për 48 orë janë Valdrin Qerimi, Baton Kutllovci dhe Ylli Mustafa – të cilët fillimisht janë marrë në pyetje si dëshmitarë e më pas ndaj tyre janë ngritur dyshime për përfshirje në rast.
Cili është motivi i vrasjes?
Pesë personat që ranë në prangat e Policisë tashmë ndodhen në ndalim policor. I dyshuari kryesor lidhur me rastin është Jetmir Sinani, 24-vjeçar, i cili po hetohet për veprën penale “Vrasje e rëndë”, teksa katër të arerstuarit e tjerë, duke përfshirë edhe Edin Bekën, po dyshohen për veprën “Pjesëmarrje në rrahje”.
Palët e përfshira, të ndara në dy grupe fillimisht janë rrahur mes vete dhe motivi dyshohet se lidhet me një rast të mëhershëm, pra një përleshje që dyshohet se kishte ndodhur në mes tyre, por që nuk kishin arritur t’i qëronin hesapet.
Edhe në konfliktin që kanë pasur më parë, viktima dhe shokët e tij kanë qenë të përfshirë në njërën anë dhe në anën tjetër i dyshuari që e vrau bashkë me shokët e tij, disa prej të cilëve janë arrestuar për përleshjen e mbrëmshme.
Pasi Faton Zenuni u qëllua me armë zjarri dhe mbeti i vdekur në vend, shokët e tij, që ndodheshin bashkë me të në momentin kritik dyshohet se janë larguar me disa vetura dhe tashmë po kërkohen nga Policia.
Teksa Prokuroria është në përgatitje të kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarve, Policia në koordinim me prokuroren e rastit janë duke vazhduar me ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme për të siguruar prova që zbardhin rrethanat e rastit.
Këtë e ka konfirmuar edhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Ismet Ujkani.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.








