“Kur hyra në zyrë gjeta alkool dhe piktura të kishës serbe”, Hetemi tregon si i largoi mbetjet serbe nga zyra e kryetarit

Kryetari i Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi, ka treguar se si e gjeti zyren e kryetarit kur erdhi në krye të kësaj komune.
Në intervistën e tij dhënë për “Mitropol”, në mesin e shumë temave ai foli edhe për gjendjen e komunës në përgjithësi dhe ndryshimeve që solli ardhja e tij.
Ai tha se në zyrën e kryetarit të Komunës së Leposaviqit, kur ka ardhur ka parë vetëm dokumentacione të Republikës së Serbisë.
“Këtu kur kemi hy maspari në zyrën e kryetarit unë nuk kam pa diçka me vula ose me shenja të Republikës së Kosovës, dokumentacionet dhe të gjitha kishin qenë Republika e Serbisë”, tha Hetemi.
Tutje ai tha se në zyre është gjetur edhe alkool.
“Kemi gjetur alkool të panumërt, e kemi largu. Edhe kemi gjet piktura të kishës ortodokse serbe që nuk është diçka që është mirë të gjenden në institucionet e Republikës”, tha tutje ai.
Në intervistën e tij për “Mitropol”, Hetemi gjithashtu tha se në zyrë nuk ka pasur as fotografi e asnjë shenjë të Republikës së Kosovës, gjersa sot gjithçka aty lidhet me Republikën e Kosovës.








