Premium Store
KOSOVËLAJME

MKRS-ja mohon se është pezulluar procedura e zhvillimit të master-planit të Kompleksit Memorial Adem Jashari

Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit, ka mohuar se është pezulluar ose ka shkelje të procedurave të zhvillimit të master-planit të Kompleksit Memorial Adem Jashari në Prekaz.

Kjo ministri tha se kjo procedurë është në zhvillim e sipër sipas rrjedhës së përcaktuar me legjislacionin për prokurim publik, dhe deri më tani nuk ka asnjë vendim përfundimtar rreth këtij procesi.

Active 1

“Aktualisht, nga data 22.12.2023, ky proces është në fazën ankimore pranë Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) dhe nuk ka konsumuar afatin ligjor për shqyrtim të lëndës”, shkruan në komunikatën e lëshuar nga ministria.

“Duam të sqarojmë opinionin publik që sa herë operatorët ekonomik konkurrues parashtrojnë ankesë pranë OSHP-së, pezullohet procesi i prokurimit dhe nisë të rrjedhë afati ligjor i shqyrtimit të ankesës. Gjithashtu, përfoljet për “shkeljet flagrante” janë pretendime të operatorit ekonomik ankues që nuk është vlerësuar si fitues, dhe në çdo rast janë subjekt i vlerësimit profesional të njësive përgjegjëse institucionale”.

“Duam t’i sigurojmë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që në procesin e zhvillimit të master-planit të Kompleksit Memorial Adem Jashari në Prekaz të gjitha veprimet e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) kanë qenë në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi dhe standardet profesionale për administrimin e një konkursi ndërkombëtar të projektimit. Operatori ekonomik që nuk është vlerësuar si fitues në këtë procedurë ka vendosur të ankohet në OSHP. Ne e respektojmë të drejtën e secilit për të përdorur mjetet ligjore të ankesës, duke siguruar proces demokratik e me integritet. MKRS konfirmon që deri më tani nuk ka pranuar asnjë raport të ekspertizës, rekomandim apo vendim nga OSHP rreth pretendimeve të operatorit ekonomik ankues rreth këtij procesi”.

“Pretendimet e raportimeve mediale për shkelje dhe publikimi i vendimeve fiktive janë vetëm spekulime dhe në momentin që publikohen lehtësisht mund të lexohen edhe si presion publik ndaj zyrtarëve të OSHP-së, një institucion i pavarur. Çdo komentim publik derisa një lëndë është duke u shqyrtuar në OSHP është shkelje ligjore dhe presion publik”.

Koha