Asnjë mësimdhënës nuk ka bërë kërkesë për pushim pa pagesë në Komunën e Mitrovicës Jugore

Që nga koha kur është bërë liberalizimi i vizave, kërkesat e mësimdhënësve për pushimet pa pagesë për të shkuar drejt Evropës po rriten. Nga muaji janar, 500-600 mësimdhënës kanë kërkuar pushim pa pagesë. Kështu kanë thënë nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës – SBASHK.
Teksa në Drejtorinë Komunale të Arsimit në komunën e Mitrovicës Jugore, drejtoresha Drita Kadriu, thotë se që nga 1 janari 2024 e deri më tani nuk ka marrë ndonjë kërkesë të tillë.
Vjollca Shala nënkryetare e SBASHK-ut ka thënë se kjo ka ndodhur për faktin se disa mësimdhënës nuk kanë bërë fare kërkesa në drejtoritë përkatëse.
“Nga janari që kur është bërë liberalizimi i vizave është rritur numri. 500-600 mësimdhënës që kanë kërkuar pushim pa pagesë. Ka edhe pa bërë kërkesa hiç që kanë ikur. Numri i atyre po rritet dita-ditës. Kemi informata nga mësimdhënësit që pa bërë kërkesa hiç kanë shku nëpër vende të ndryshme të Evropës. Ata thjeshtë e shohin një herë nëse mund të gjejnë punë më të mirë natyrisht që edhe nuk kthehen”- ka thënë Shala.
Si e shohin drejtorët e shkollave dhe mësimdhënësit në Mitrovicë Jugore këtë dukuri?
Nazmi Beka, drejtor i shkollës fillore “Abdullah Shabani” e konsideron se është shkelje e rëndë pedagogjike nëse fëmiut pa një arsye të fortë i ndërrohet mësuesi. Beka shprehet i revoltuar për faktin se mësimdhënësit të ciltë e provojnë “fatin” jashtë vendit u mundësohet kthimi në shkollën bazë ku janë të punësuar.
“Kërkesa e mësimdhënësve për me shku 6 muaj pa pagesë për me e provu jetën në Gjermani apo një shtet tjetër të Evropës dhe me e lënë mundësinë hapur për me u kthy prapë në shkollë në Kosovë, kjo është rezultat se ata nuk e duan profesionin. Në baza shoqërore që kemi bisedu, disa mësimdhënës janë duke i pritur vizat apo kontratat e punës për me shku jashtë vendit. E ftoj Ministrinë e Arsimit me i marr të dhënat në terren me pa se sa është numri i mësimdhënësve që kanë shku ose presin me shku. Përndryshe do të vij te një situatë ku prindërit do të kenë dilema se a do të ketë mësimdhënës në shkollë në orarin e mësimit apo jo”- u shpreh Beka.
Raste të kërkesave për pushim pa pagesë nga mësimdhënësit nuk ka patur as në shkollën “Migjeni” teksa drejtori i shkollës Luan Mehmeti thotë se ka mungesë të stafit admistrativ, pedagogut e psikologut, etj.
“Që nga rasti i liberalizimit të vizave, tash që po vërehet një lëvizje. Për momentin në shkollën tonë po flas nga mësimdhënësit nuk e kemi asnjë kërkesë për pushim pa pagesë. Zyrtarisht asnjë mësimdhënës nuk e kam jashtë procesit mësimor. Në administratë deri sa të shqyrtohet konkursi kam mbet i vetëm. Edhe pse kjo shkollë është më e madhja në Mitrovicë, nuk kam as zëvendës as sekretar, as pedagog e as psikolog. Mirëpo për momentin me numrin e nxënësve dhe mësimdhënësve qëndrojmë mirë”- ka thënë Mehmeti./Kallxo








