Premium Store
02KOSOVËLAJME

Kompania serbe Elektrosever nis regjistrimin e bizneseve për faturimin e energjisë elektrike në Lagjen e Boshnjakëve

Kompania serbe për furnizim me energji elektrike, Elektrosever, ka filluar sot me regjistrimin e bizneseve të shqiptarëve dhe serbëve në Lagjen e Boshnjakëve dhe pjesë të tjera të veriut për fillimin e pagesave për furnizim me energji elektrike, mëson “Mitropol”.

Gjashtë zyrtarë serbë të kësaj kompanie sot ishin për vizitë në lokalet e Lagjes së Boshnjakëve duke kërkuar nga pronarët të lajmërohen për regjistrim në zyret e kësaj kompanie, bënë të ditur qytetarët nga veriu për “Mitropol”

Premium Store

Siç tregojnë ata, zyrtarët serbë u thanë se fillimisht do faturohen me një paushall prej 25 eurosh për lokale dhe 20 euro për shtëpi, shumë kjo e cila është shumëfish më e ulët se shumat të cilat i paguajnë qytetarët e jugut për furnizim me energji në KEDS.

Një nga gratë që menaxhon një lokal në Lagjen e Boshnjakëve tha për “Mitropol” se siç i kishin thënë punëtorët e Elektroseverit, instalimi i njehsorëve elektrikë nëpër shtëpi dhe lokale do fillonte nga muaji Maj, gjersa për regjistrim banorët duhet të lajmërohen tek zyrat e kompanisë që ndodhen pas burgut të Mitrovicës Veriore.

Marsi do të jetë muaji që pas 24 viteve qytetarët e veriut do të fillojnë të paguajnë për energjinë elektrike.

Më 1 janar të këtij viti furnizuesi Elektrosever ka filluar ta nominojë energjinë për 4 komunat e veriut, pra ka filluar të marrë përgjegjësinë për konsumin e energjisë atje.

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) kishte njoftuar se nga 1 janar i vitit 2024, në katër komunat në veri të Kosovës ka nisur të regjistrohet energjia elektrike e shpenzuar.

“Më 1 janar 2024, duke filluar nga 00:01, furnizuesi Elektrosever Sh.p.k, – kompani e licencuar dhe e regjistruar sipas ligjeve të Republikës së Kosovës – ka filluar të nominojë energjinë për katër komunat e veriut. Pra ka filluar të marrë përgjegjësinë për konsumin e energjisë në veri. Pas më shumë se 20 vjetësh, energjia e konsumuar në pjesën veriore do të paguhet njësoj sikurse në pjesën tjetër të territorit të vendit”- kishte shkruar kryeshefi i KOSTT-it, Evetar Zeqiri, në një postimi të tij në Facebook.

Sipas ZRRE-së, nëse ndonjë konsumator nuk ka njehsorë të energjisë elektrike dhe matësi i tyre nuk është funksional, atëherë konsumatori duhet të nënshkruajë kontratën për furnizim dhe pastaj KEDS duhet t’ia instalojë apo ndërrojë njehsorin elektrik në mënyrë që konsumatori të ketë matje të shpenzimit të energjisë elektrike.

Në raportin e Zyrës së Rregullatorit për Energji thuhet se energjia e pafaturuar në katër komunat veriore të Kosovës ka qenë 362 GWh apo 5.85%.

“Humbjet e gjithëmbarshme jo-teknike ndaj kërkesës së përgjithshme në shpëndarje në distriktin e Mitrovicës, përfshirë humbjet në katër komunat veriore të Kosovës, në vitin 2022 kanë qenë 646 GWh, apo 10.42% ndaj kërkesës së përgjithshme në shpëndarje”- thuhet në raportin e ZRRE-së.

Konteata mes KEDS dhe Elektrosever për furnizimin e veriut të vendit me energji elektrike përkon me ligjin e Kosovës dhe kornizën rregullative, në përputhje me Marrëveshjet në lidhje me Energjinë të datës 8 shtator 2013 (“Marrëveshjet e Energjisë 2013”) dhe Konkluzionet e Lehtësuesit të BE-së për zbatimin e Marrëveshjes së Energjisë të vitit 2013, të datës 25 gusht 2015 (“ Marrëveshjet për Energjinë të vitit 2015”), si dhe Udhërrëfyesin për Zbatimin e Marrëveshjeve Energjetike të 21 qershorit 2022.

Elektrosever është pronë e kompanisë energjetike të Serbisë EPS (Elektroprivreda Srbije). Ajo e mori licencën për operim nga Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës (ZRRE) më 24 qershor 2023.

Për këtë marrëveshje pati reaguar edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.

“Me nënshkrimin e kontratës komerciale ndërmjet KEDS-it dhe Elektrosever, sipas pikës 3 të Udhërrëfyesit për Marrëveshjen e Energjisë, u bë një hap tutje drejt normalizimit të furnizimit me energji dhe faturimit në katër komunat në veriun e Kosovës.  Më shumë se 1 vit pas dakordimit mbi udhërrëfyesin e pasiqë pala jonë i përmbushi menjëherë obligimet e saj që derivojnë nga marrëveshja, Elektrosever pranoi ta nënshkruajë kontratën. Operimi edhe në veri, do të ndodhë brenda kornizës ligjore e rregullative të Republikës së Kosovës, ashtu siç në të gjithë territorin e vendit tonë”- ishte shprehur Bislimi në një shkrim në Facebook.

Nga Elektrosever sot u tha se në fshatrat shqiptare në veri ata do shkojnë pa përcjelljen e policisë së Kosovës, por se policinë e kanë njoftuar vetëm për aktivitetet në terren që do të kryhen në terren në ato vendbanime për të shmangur keqkuptimet dhe incidentet e mundshme./Mitropol/I 

Koha