
Gjykata Themelore në Gjakovë ka shpallur aktgjykim lirues ndaj Dod Gjikolajt, për akuzën se më 14 tetor 2018, në fshatin Smolicë të Komunës se Gjakovës, ka privuar nga jeta H.A.
Aktgjykimi ndaj Gjikolajt u shpall të mërkuren nga kryetari i trupit gjykues, Ilir Rashkaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjykatësi Rashkaj tha se në mungesë të provave në bazë të të cilave do të vërtetohej se i akuzuari ka kryer veprën penale, Gjykata ka marrë aktgjykim lirues.
“Pas mbajtjes së seancave gjyqësore, dëgjimit të dhjetë dëshmitarëve, administrimit dhe analizimit të të gjitha provave personale dhe materiale, këqyrjes dhe rikonstruksionit të vendit të ngjarjes, si dhe analizimin e tri ekspertizave, dy vendore dhe një ndërkombëtare nga Instituti i Forenzikës së Cyrihut në Zvicër, (Gjykata) ka ardhur në përfundim se nuk është vërtetuar se i akuzuari ka kryer veprat penale të përshkruara si në aktakuzë”, tha gjykatësi Rashkaj.
Të dëmtuarit H.A, F.A dhe A.K, për realizimin e kërkesës pasurore juridike udhëzohen në kontest civil.
Kundër këtij aktgjykimit, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh në Gjykatën e Apelit.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 5 gusht 2022, nga Prokuroria Themelore në Prizren, Dod Gjikolaj akuzohej se më 14 tetor 2018, në fshatin Smolicë, të Komunës së Gjakovës, ka privuar nga jeta tani të ndjerin H.A.







