Dukato 2
KOSOVËLAJME

Qeveria serbe akuzon SHBA-në e BE-në për përgjegjësi direkte për arrestimin e një serbi në Veri

Policia e Kosovës sot ka arrestuar Sreçko Sofronijeviqin nga Zveçani në pikën kufitare Bërnjak për pjesëmarrje në protestat e vitit 2021, të organizuara për shkak të zbatimit të një aksioni kundër kontrabandës me mallra. Ai tashmë është ndaluar për 48 orë.

Për këtë ka reaguar e ashtuquajtura Zyre për Kosovën në qeverinë serbe, duke thënë se për këtë “drejtpërdrejt përgjegjëse” janë SHBA dhe BE, shkruan Danas.

Active 1

Zyra, në krye të së cilës është Petar Petkoviq, ka thënë se kryeministri Albin Kurti “me forcat e tij speciale ka qenë ekzekutuesi i thjeshtë i arrestimit të Sofronijeviqit”.

“Prishtina akuzon Srećko Sofronijeviqin se gjoja ka shkelur të ashtuquajturin rend kushtetues, të ashtuquajturën Kosovë, vetëm sepse ai po mbronte shtëpinë e tij kur ROSU (njësia speciale e policisë së Kosovës) bastisi Zveçanin më 13 tetor 2021 dhe hodhi gaz lotsjellës drejt serbëve dhe më pas ka qëlluar Sreçkon, i cili ishte në rrezik për jetën”, thuhet në reagimin e kësaj zyre.

“Sreqko Sofronijeviq është një nga serbët e shumtë që në periudhën e kaluar e mbrojtën të drejtën e tyre për jetë në mënyrë paqësore dhe demokratike. Ai është një nga të shumtët që u bë viktimë e politikës së urrejtjes serbe”.

Kjo zyre pretendon se protestat ishin paqësore përkundër që ishte dokumentuar e kundërta.

“Rezistenca serbe ndaj shtypjes së Kurtit çoi gjithashtu në protesta paqësore dhe barrikada si shprehje e thirrjes së popullit serb që komuniteti ndërkombëtar t’i dëgjojë. Për të qenë të saktë, më 28 dhjetor 2022, BE-ja dhe SHBA-ja i dhanë lidershipit shtetëror të Serbisë garanci të forta me shkrim se nuk do të ketë arrestime apo persekutime të serbëve nga veriu i Kosovës për pjesëmarrje në protesta paqësore dhe barrikada me të cilat vetëm po mbronin pragun e tyre”, thuhet në njoftim.

Sipas kësaj zyre, në këto “garanci” thuhet “pa mëdyshje se lidershipi i Kosovës ka konfirmuar se nuk ka listë të serbëve të Kosovës që të arrestohen apo ndiqen penalisht për pjesëmarrje në protesta paqësore – barrikada”.

“Pikërisht për shkak të këtyre garancive dhe fjalëve të shteteve më të fuqishme në botë, presidenti Aleksandar Vuçiq u kërkoi serbëve të veriut të Kosovës që t’i heqin barrikadat, gjë që ata e bënë me ngurrim, por duke dëgjuar vendin e tyre Serbinë dhe presidentin e tyre, por edhe duke paralajmëruar mbarë botën se Prishtina nuk do të ndalet dhe se do t’i nënshtrohet persekutimit brutal”, thuhet në komunikatë.

Zëvendëskomandanti i policisë për veriun, Veton Elshani, ka thënë se ai është ndaluar për shkelje të rendit kushtetues të Kosovës.

Si pasojë e rritjes së tensioneve protestuesit janë përleshur, atëbotë, me zyrtarët policorë, dhe patën mbetur dhjetëra persona të plagosur nga të dyja anët, përfshirë Sofronijeviqin.

Koha