
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, gjatë një takimi sot me zëvendësdrejtorin menaxhues për Evropë të Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS) të BE-së, Marko Makovec, ka kërkuar heqjen sa më parë të masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, gjersa ato vijojnë të mbeten të padrejta.
Bislimi theksoi se Kosova në mënyrë të padrejtë edhe përkundër përmbushjes së kushteve dhe progresit në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit ende mbetet vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk e ka statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE.
Disa nga temat për të cilat u diskutua në takim ishin zhvillimet e fundit në vend e rajon, fuqizimi i bashkëpunimit rajonal, vizioni i Planit të Rritjes si instrument që duhet të ndihmojë në konvergjencën mes shteteve të rajonit, por edhe atë me BE-në dhe perspektiva e zhvillimit dhe prosperitetit në shtetin tonë.
Kujtojmë se BE vazhdon të mbajë masat penalizuese ndaj Kosovës që përfshijnë pezullimin e përkohshëm të punës së trupave të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), mos ftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe pezullimin e vizitave dypalëshe.







