Aurora Group
KOSOVËLAJME

Jasharaj ‘godet’ Muratin: Ka marrë detyrë nga Kurti t’i shuajë sindikatat

Kreu i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka akuzuar Qeverinë Kurti se po ngulfat dialogun e brendshëm, duke goditur në mënyrë të veçantë, ministrin e Financave, Hekuran Murati që sipas tij ka marrë detyrë nga Kurti për të shuar sindikatat.

Sipas Jasharajt ministri Murati i urren sindikatat duke bërë çmos që t’i shuaj ato me përpjekjet fillestare bashkë me Kurtin që të krijojnë tronditje brenda sindikatave dhe të sjellin udhëheqës sindikalë që janë njerëz të tyre.

Active

“Po ta kishin arritur këtë, atëherë Qeveria do të zhvillonte përditë takime me ta, do të fotografoheshin dhe ata udhëheqësit sindikalë të shitur do të ngritnin në qiell Qeverinë duke gënjyer për të. Qeveria Kurti dështoi në këtë përpjekje dhe prandaj SBASHK-u dhe disa nga sindikatat tjera u janë bërë halë në sy dhe nuk pushuan me luftën kundër tyre”, ka shkruar Jasharaj.

Ai ka shtuar se ministri Murati kishte shpresë se me platformën e-Kosova do t’i gjunjëzonte sindikatat duke menduar se anëtarësia do të hezitonte të regjistrohej sepse edhe procedurat janë të koklavitura.

“Kryeministri Kurti dhe Ministri Murati duhet të pajtohen se këto janë sindikatat në Kosovë dhe këta janë udhëheqësit e tyre që janë zgjedhur me votën e anëtarësisë dhe se vetëm kjo votë mund t’i shkarkojë ata dhe të nis me dialogun e sinqertë me ta duke shqyrtuar kërkesat e anëtarësisë e duke i zgjedhur e realizuar ato”, ka shkruar mes tjerash kryesindikalisti i arsimit.

Koha