Qeveria i përgjigjet QUINT-it, BE-së dhe OSBE për pronat në Veri: Konstatuat në mënyrë të gabuar gjendjen faktike

Qeveria e Kosovës ka dalë me reagim në lidhje me deklaratën e shteteve të QUINT-it BE-së dhe OSBE-së rreth vendimit të datës 30 maj në lidhje me shpronësimin në veri të Kosovës.
Në njoftim thuhet se deklaratat e tyre për shpronësimet në veri “konstaton në mënyrë të gabuar gjendjen faktike dhe bën vlerësim ligjor të pabazuar në argumente”.
“Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh keqardhje për Deklaratën e shteteve të QUINT-it, BE-së dhe OSBE-së lidhur me vendimin e datës 30 maj mbi shpronësimin e pronës së paluajtshme në disa komuna në veri të Republikës së Kosovës. Deklarata në fjalë, konstaton në mënyrë të gabuar gjendjen faktike dhe bën vlerësim ligjor të pabazuar në argumente”, thuhet në reagim.
Tutje thuhet se Qeveria e Kosovës vetëm e ka respektuar ligjin dhe se vendimi i respekton të drejtat e njeriut.
“Qeveria e Republikës së Kosovës, me propozim të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, ka filluar procesin e shpronësimit të pronës së paluajtshme në disa komuna të Republikës së Kosovës sipas Ligjit në fuqi për Shpronësimin, me qëllim të ndërtimit të projekteve infrastrukturore. Qëllimi i këtillë, përcjell definimin e “qëllimit legjitim” të definuar si të tillë nga Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe jurisprudenca e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strazburg. Një gjë e këtillë është paraqitur edhe gjatë takimeve e diskutimeve me partnerët ndërkombëtarë, të cilët nga Qeveria e Kosovës kanë kërkuar respektim të procedurave të nisura gjyqësore, para marrjes së vendimit përfundimtar për shpronësim në Qeveri”, thuhet në reagim.
Sipas Qeverisë ligji është zbatuar njësoj si në të gjitha rastet e tjera të shpronësimit për interes publik.
“Ligji në këtë rast është zbatuar njësoj si edhe në të gjitha rastet tjera të shpronësimit për interes publik anekënd Kosovës. Ne besojmë që të gjithë pajtohen që para ligjit të gjitha rajonet e Kosovës duhet të trajtohen njëjtë dhe në mënyrë të barabartë”, thuhet në njoftim.








