
Sot “Mitropol” raportoi ekskluzivisht për një aksident trafiku ku i vdekur në vendin e ngjarjes mbeti shoferi i një motociklete që u përfshi në aksident me një veturë dhe një kamionetë.
Rastin për “Mitropol” e konfirmoi zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.
Zahiti tha se rreth orës 16:40 është raportuar për një aksident trafiku me pasojë fataliteti i shkaktuar në dalje të Mitrovicës në rrugën nacionale Mitrovicë – Leposaviq.
Zahiti konfirmoi se në aksident janë përfshirë tri automjete, një veturë, një kamionetë dhe një motoçikletë, ku si pasojë e lëndimeve të pësuara në aksident ka humbur jetën motoçiklisti.
Ndërsa lëndime ka pësuar edhe një person tjetër i cili po trajtohet ne Spitalin Rajonal në Mitrovicë.
“Mitropol” ka siguruar pamje edhe nga momenti kur ekipet e Mjekësisë Ligjore largojnë trupin e viktimës nga vendi i aksidentit.

”Mitropol” mëson se viktima është një djalë i ri rreth 30 vjeç. Gazeta posedon identitetin e plotë të viktimës por nuk do e publikoj deri në njoftimin e rastit nga familjarët.







