Raporti i DASH-it flet për Banjskën dhe ankesat e Kishës Ortodokse Serbe për pretendimet e përfshirjes në sulm

Në raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit për liritë fetare, është përmendur edhe sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.
Grupi i organizuar i armatosur serbë sulmoi Policinë e Kosovës në fshatin Banjskë, duke shkaktuar vdekjen e një rreshteri policie dhe plagosjen e dy oficerëve të tjerë.
Në raport, thuhet se grupi hyri me forcë në kompleksin pranë Manastirit të Kishës Ortodokse Serbe në të njëjtën zonë, ku luftoi me policinë për një periudhë kohore, duke izoluar abatinë dhe rreth 40 pelegrinë nga Serbia brenda manastirit derisa u largua.
Raporti gjithashtu përmend ankesat e Kishës Ortodokse Serbe lidhur me deklaratat publike që e “përfshinin manastirin” në planifikimin e sulmit.
“Më 24 shtator, një grup i organizuar, i armatosur dhe i trajnuar i serbëve etnikë sulmoi Policinë e Kosovës në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit, duke vrarë një rreshter policie dhe duke plagosur dy oficerë të tjerë. Më pas, grupi hyri me forcë në kompleksin e afërt të Manastirit SOC Banjska dhe luftoi me policinë për disa orë, duke përfshirë edhe nga prona e manastirit, ndërsa igumeni i KOS-it dhe afërsisht 40 pelegrinë nga Serbia u izoluan në manastir derisa grupi u largua. Policia tha se tre sulmues u vranë gjatë përleshjes. Pas luftimeve, policia dhe personeli i Forcave të NATO-s në Kosovë dhe Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX) hynë në manastir dhe gjetën personelin e KOS-it dhe pelegrinët atje të palënduar”, thuhet në raportin e DASH-it.
Po ashtu, në raport thuhet se sipas KOS-it, manastiri pësoi dëmtime të vogla në portat dhe derën e konakut, e cila ishte jashtë ndërtesës kryesore të manastirit.






