Këta janë të dyshuarit për rrahjen në lokalin ‘Grammy’ në Mitrovicë, dyshuan se po i vidhte kamerieri

Mbrëmjen e kaluar “Mitropol” raportoi ekskluzivisht se disa persona janë përfshirë në një përleshje fizike në lokalin “Grammy” në Mitrovicë, me ç’rast kanë ndërhyrë policia.
Siç mëson Sinjali personat që po dyshohen për rastin janë Jeton Dibrani, Agron Dibrani, Armend Ibrahimi dhe Donil Ibrahimi.
Konflikti dyshohet se ndodhi pas një debati që palët kanë pasur mes vete lidhur me pagesën që duhej ta kryenin në këtë lokal – ku kamerier ishte i dyshuari i fundit Donil Ibrahimi.
Merret vesh se sherri plasi pasi të dyshuarit e parë dyshonin se kamerieri i ka vjedhur gjatë kryerjes së pagesës.
Në përleshje është përdorur edhe një shishe qelqi, duke pësuar lëndime trupore tre prej tyre.
Pas tretmanit mjekësor, të dyshuarit janë intervistuar nga hetuesit policorë lidhur me incidentin.
Ndaj tyre, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e hetimit.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.








