Mbyllet pika kufitare në Bërnjak, Sveçla: Një familje nga Gjermania u kthye prapa me forcë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se një familje e cila po udhëtonte nga Gjermania për në Kosovë, i është pamundësuar vazhdimi i udhëtimit në pikat e kalimit kufitar me Serbinë për shkak të bllokadave që janë krijuar në shenjë proteste ndaj vendimeve që po marrin institucionet e Kosovës në Veri.
Svelçla përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka thënë se kjo familje “është kthyer prapa me forcë”.
“Kjo po ndodhë para syve të policisë së Serbisë, fakt ky që e bën atë bashkë fajtore. Këto akte fashiste ku serbët lejohen pavarësisht dokumentacioneve që posedojnë kurse shqiptarët pengohen pavarësisht dokumentacioneve që posedojnë, janë absolutisht të papranueshme për ne”, shkroi Sveçla.
Ai tutje ka bërë të ditur se deri në normalizimin e situatës, pika kufitare në Bërnjak është mbyllur për qarkullim.
“Prandaj, deri në stabilizimin e qarkullimit normal, të pa pengueshëm dhe të sigurtë për të gjithë udhëtarët, pika kufitare në Bërnjak mbyllet për qarkullim”, tha mes tjerash ai.







