“Probabilitet afër zero”: Peci dështon t’i ‘justifikojë’ 200 mijë euro grante për familjarët e Pacollit

200 mijë euro grante për vëllain dhe dajën e deputetes së VV-së, Fitore Pacolli, ministri i Bujqësisë, Faton Peci i arsyetoi me heqjen e përgjegjësisë – gjoja nuk ka ndikim – për vlerësimet që bëhen në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë.
“Për qartësim të opinionit, Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë ka mandat vlerësimin e granteve dhe subvencioneve. Ministri e stafi i tij, nuk kanë qasje në këtë proces.” – tha Peci gjatë një video-adresimi pasditen e së hënës.
Më pas ai ka sulmuar mediat që kanë raportuar për rastin, të cilin e zbuloi fillimisht sekretari i përgjithshëm i Forumit Rinor të Lidhjes Demokratike, Egzon Pacolli.
“Nuk më habisin titujt bombastik e as linçimet që vijnë nga mendësia kriminale dhe korruptive pasi që nisen nga vetja dhe nga pretendimi se çdo listë e përfituesve duhet të kalojë kah zyra e Ministrit. Mirëpo jo në rastin tonë”, tha Peci.
Ministri pretendoi gjithashtu “eleminim të kritereve diskriminuese”.
“Ne kemi eliminuar kriteret diskriminuese duke i bërë programet tona të qasshme ndaj secilit fermer, duke u bazuar në meritokraci e transparencë!”
Ky pretendim i ministrit Peci u ballafaqua nga një gazetar, i cili ka pyetur se cili mund të jetë probabiliteti që “dy vëllezërit e 1) Kryetares dhe 2) Nënës së Kryetares të Komisionit Parlamentar të Bujqësisë e kanë marrë grantin në mënyrë meritore dhe pa ndërhyrjen e Shefes Politike të Bujqësisë?”
“Unë besoj se ky probabilitet është shumë afër 0.” – shtoi ai.








