
Një ngjarje tragjike ku një djalë i ri, nxënës i shkollës së mesme u godit nga arma e zjarrit me ç’rast gjeti vdekjen, ndodhi mbrëmë në Vushtrri, pati njoftuar “Mitropol”.
“Mitropol” raportoi ekskluzivisht se personi i vrarë ishte Ardit Zymeri.
Vrasjen për “Mitropol” e konfirmoi zyrtarisht edhe Policia e Kosovës.
”Sonte, rreth orës 20:35 minuta, policia ka pranuar informatën për të shtëna nga arma e zjarrit, ngjarja ka ndodhur në rrugën ” Galip Badivuku” ne Vushtrri.”, tha mbrëmë zëdhënësi i Policisë për Mitrovicën e Jugut, Avni Zahiti për “Mitropol”.
“Nga hetimet e para nga vendi i ngjarjes, ishte bërë e ditur se një person i dyshuar kishte shtënë me armë në drejtim të viktimës A. Z, 19 vjeçar. Viktima është dërguar në Spitalin e Vushtrrisë ku nga autoritetet spitalore është konfirmuar se viktima ka ndërruar jetë. Me urdhër te Prokurorit, trupi i pajetë i viktimës dërgohet në IML për obduksion.”, kishte thënë tutje Zahiti.
Por “Mitropol” raportoi ekskluzivisht se Policia kishte kryer arrestimin e të dyshuarit si dhe kishte mësuar ekskluzivisht se i dyshuari i arrestuar për vrasjen e mbrëmshme ishte Bleon Dibrani.

Policia më vonë konfirmoi raportimin ekskluziv të “Mitropol” për arrestimin e të dyshuarit.
Zahiti tha për “Mitropol” se nga hetimet e kryera në vendin e ngjarjes dhe ekzaminimet e kryera, hetuesit policor si prova materiale kanë gjetur dhe sekuestruar tri (3)gëzhoja.
“Hetuesit policorë kanë identifikuar dhe arrestuar të dyshuarin B. D., 19 vjeçar nga i cili është konfiskuar një armë pistoletë që dyshohet të jetë përdorur nga i dyshuari në kryerjen e veprës penale. Në shtëpinë e të dyshuarit është realizuar bastisje ku është gjetur dhe konfiskuar edhe një armë e gjatë me pesë (5) fishek.”, njoftoi mes tjerash Zahiti.
Policia e gjeti të dyshuarin 19 vjeç të fshehur nën një urë në Vushtrri, ku iku pasi dyshohet se qëlloi bashkëmoshatarin e tij.
Me aktvendim të prokurorit të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit policor.
Rrjedha hetimore është duke vazhduar në koordinim me prokurorin e rastit për zbardhjen e plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me rastin e veprës penale “vrasje e rëndë”./Mitropol/
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.








