
Prokuroria Speciale ka dhënë detaje në lidhje me arrestimin e serbit Millosh Antoviq, 31 vjeç, i dyshuar për përfshirje në sulmin ndaj forcave të KFOR-it gjatë protestës së mbajtur më 29 maj 2023 në Zveçan.
Ndaj tij rëndojnë disa vepra penale si: bashkim për veprimtari kundërkushtetuese, rrezikimi i personave nën mbrojtje ndërkombëtare, pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm, sulm ndaj personit zyrtar, shitblerje të narkotikëve dhe armëmbajtje pa leje.
Prokuroria njoftoi se pas arrestimit të tij, është bastitur edhe vendbaimi i të dyshuarit ku janë gjetur një sërë provash materiale.
Provat e gjetura janë:
Prova D#1 – sasi e dyshuar substancë narkotike (751 gram)
Prova D#2 – shpuzore me substancë të dyshuar narkotike (292 gram)
Prova D#3 – tabak metali me substanca narkotike (207 gram)
Prova D#4 – substancë e dyshuar narkotike (sasi e vogël)
Prova D#5 – pushkë ajrore
Prova D#6- peshore e vogël (dyshohet se përdoret për matjen e sasisë së substancave narkotike)
12 (dymbëdhjetë) aparate për prodhim të cripto-valutave- Riga (për të cilët është mbet të ndërmarrin veprimet e mëtutjeshme Dogana e Kosovës dhe njësit policore nga stacioni policor Mitrovica e Veriut)
Prova D#7 -Telefon celular Samsung Galaxy S22 Ultra, me numër serik R5CTC1RZGEN, me numër të IMEI 355898190653889;
“Prokurori i rastit brenda afatit ligjor do t’i propozoj gjykatës masën e sigurisë për praninë e të pandehurit në procedure”, thuhet në njoftim.








